Publikohen momentet nga plagosja e fotoreporterit turk gjatë protestave në Paris

raporteri turk

Publikohen momentet nga plagosja e fotoreporterit të Anadolu Agency (AA) Mustafa Yalçın, gjatë ndjekjes së protestave në Paris.

Yalçın, i cili u plagos në syrin e majtë dje nga një bombolë gazi e hedhur nga policia franceze derisa ai ndiqte protestat e zhvilluara kundër politikave të pensioneve në Francë, sot u operua.

Yalçın kaloi një operacion që zgjati rreth 6 orë në spitalin Cochin në Paris, ku ai u dërgua mbrëmë pas plagosjes.

Fotoreporteri Yalçın, i cili po ndiqte nga afër protestat kundër reformës së pensioneve në Paris, u plagos në sy pasi bombola e gazit e hedhur nga forcat e sigurisë theu xhamin e maskës që kishte vendosur si masë mbrojtëse.

Në gjendje të përgjakur me thyerjen e xhamit të maskës, Yalçın fillimisht u trajtua nga ekipet shëndetësore në vendin e ngjarjes ndërsa më pas nga mjekët në ambulancë. Trajtimi i Yalçın-it është duke vazhduar në spital.

Mes policisë dhe dhjetëra mijëra protestuesve ndodhën përleshje gjatë protestave që nisën dje në Paris dhe në gjithë Francën kundër reformës së pensioneve.

Pasi protestuesit shkaktuan dëmtime në ambientet përreth dhe u vënë zjarrin disa automjeteve, policia ndërhyri ndaj tyre, ku krahas Yalçın-it plagosi edhe dy gazetarë të tjerë.