Interi “turpërohet” nga Barcelona B

inter-barca

Barcelona B nxjerr jashtë Championsit Interin. Skuadra zikaltër nuk arrin të shfrytëzojë faktorin fushë dhe as faktin që Valverde nuk kishte grumbulluar emra të mëdhenj si Messi, Griezmann dhe Pique, e aq më tepër që nuk u aktivizuan as Busquets dhe ter Stegen. Përfundoi 1-2 në “San Siro” (shënuan Perez e Ansu Fati për Barçën e Lautaro për Interin) kjo sfidë e raundit të fundit të ndeshjeve në grupe, me kryesuesit e Serisë A që shkojnë në Europa League. Borussia e Dortmudit, e dyta në Grupin F, bëri detyrën, duke fituar 2-1 me Slavian e Pragës (Sancho 10’, Brandt 61/Soucek 43’).

Eliminohet në mënyrë surprizë skuadra finaliste e sezonit të kaluar të Championsit, Ajaxi i Amsterdamit, që u mposht 0-1 në shtëpi nga Valencia në Grupin H me gol të Rodrigos. Chelsea u kualifikua si i dyti, me 11 pikë, aq sa Valencia, pasi iu imponua 2-1 Lille. Shënuan për londinezët Abraham dhe Azpilicueta, ndërsa për francezët shkurtoi diferencën Remy.

Leipzigu barazoi 2-2 në fushën e Lyonit, duke siguruar vendin e parë në Grupin G, ndërsa francezët u kualifikuan si të dytët (8 pikë), me një pikë më shumë se Zeniti, që u mposht 0-3 nga Benfica, duke humbur madje edhe mundësinë për të luajtur në Europa League.