VMRO dhe BDl, bashkë bllokojnë shfuqizimin e Lustrimit

09-46-16-IMG_13012020_233235_600_x_400_pixel-600x375-1-600x360.jpg


Komisioni parlamentar për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive nuk arriti të bëjë asnjë hap drejt shfuqizimit të Ligjit për lustrim. Pas disa pauzave të një pasnjëshme, hapja e debatit në lexim të parë u shty në afat të pacaktuar.


Deputetët e VMRO-DPMNE-së qëndronin para dyerve të sallës, në hollin e Kuvendit, ndërsa deputetët e BDl-së nuk dukeshin askund. Mungesa e këtyre të fundit i mundësoi VMRO-së që të pamundësojë kuorum pasi në sallë ndodheshin vetëm deputetët e LSDM-së. Kryetari i Komisionit, Aleksandër Kiracovski konfirmoi se BDl ju bashkëngjit VMRO-DPMNE-së në sabotimim e kësaj seance.


“Fatkeqësisht mund të konstatoj se përveç deputetëve të VMRO-DPMNE-së, në obstruimin e punës së komisionit për sistem politik në seancën e caktuar për shfuqizimin e lustrimit u përfshinë edhe dy parti, Partia Demokratike e Turqive dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, për të cilët shpresoj se kanë argumente serioze të cilat do ti ndajnë edhe me ne dhe opinionin e gjerë. E shfrytëzoj këtë rast që t’i ftoj të vetëdijesohen, të miratojmë këtë ligj, tu ndihmojmë viktimave të lustrimit dhe ta përmirësojmë këtë padrejtësi”, deklaroi Aleksandër Kiracovski.
Nga VMRO-DPMNE thanë se ata që duhet të dëmshpërblehen dhe të ju përmirësohet padrejtësia janë viktimat e komunizmit dhe jo bashkëpunëtorët e ish sistemit.


“Të gjithë ata që qëndruan në linjën e ASNOM kanë pasur fat të errët që të përfundojnë në burgje, ndërsa ata me më pak fat edhe të likuidohen pa asnjë gjykim. Pyetja jonë është cilët janë viktimat, ata që kanë mundësuar që njerëzit të likuidohen fizikisht dhe politikisht apo ata të cilët janë likuiduar. Askush përveç LSDM-së si trashëgimtare e atij regjimi nuk dëshiron të jep mbështetje për këtë ligj. Nuk ka shtet evropian që nuk ka kaluar nëpër lustrim. Ne do të jemi këtu që nëse Kiracovski thërret mbledhje edhe në 11 të natës, do të shkojmë dhe me argumente do ta kundërshtojmë”, deklaroi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.


Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi nga BDl, nuk komentoi mungesën e bashkëpartiakëve të tij në Kuvend por tha se si kryetar Kuvendi nuk ka kompetencë ta shoh përmbajtjen e ligjit.


“As nuk e kam parë pjesën materiale, as se kam kompetencë ta shoh pjesën materiale. Unë si deputet e kam mbështetur ligjin për lustrim në kohën kur kam qenë deputet, nuk kam pasur problem me atë ligj dhe as nuk kam problem me ligjin e ri, kështu që nuk kam koment shtesë”, tha Xhaferi.