Nacho e shpëton Real Madridin

reali

Reali i Madridit ka përfituar maksimalisht nga hapi fals i Barcelonës dje në “Mestalla”, teksa mbrëmjen e sotme triumfoi me rezultatin minimal 0-1 në transfertën ndaj Valladolidit dhe u shkëput i vetëm në krye.

Skuadra e drejtuar nga Zinedine Zidane vuajti jo pak mbrëmjen e sotme, përballë një kundërshtari që ishte rreshtuar mirë në prapavijë, gjë që shpjegohet edhe me faktin që goli i fitores erdhi vetëm në minutën e 78’.

Ishte pikërisht mbrojtësi i djathtë Nacho ai që shënoi golin me vlerë 3-pikëshe për Realin e Madridit, pasi shfrytëzoi mirë një krosim të mesfushorit Toni Kroos, gjatë zhvillimeve të një goditjeje nga këndi.

Fitorja ngjit Realin e Madridit në krye të renditjes me 46 pikë, 3 më tepër se Barcelona e Setien, që u mposht 2-0 dje nga Valencia, ndërsa vendi i tretë i përket Sevillas me 38 pikë, shumë larg zonës së pretendentëve.