Pse shqiptarët në Maqedoni do të marrin më pak deputetë?

shkupi

Abdulla Mehmeti
SHKAQET DHE FAKTORËT QË NDIKOJNË NË REZULTATET E DOBËTA TË PARTIVE SHQIPTARE NË ZGJEDHJE
(Shqiptarët në Maqedoni, për këto shkaqe dhe faktorë të përmendur më poshtë, asnjëherë nuk kanë arritur të fitojnë numër të mjaftueshëm të deputetëve sipas përqindjes së tyre në numrin e përgjithshëm të banorëve në këtë shtet, së paku 35-40 %, sipas kësaj edhe numër së paku 46-50 deputetë, në vend se 20 deputetë sa kanë aktualisht, apo sa do të mundin të fitojnë në zgjedhjet e radhës, më 12 prill të këtij viti.)
Drejtuesit e partive politike, analistët, mediet, gazetarët dhe të gjithë qytetarët shqiptarë, në vend dhe në mërgatë, të preokupuar me çështjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 12 prillit në Maqedoninë Veriore, përveç sondazheve, përllogaritjeve dhe pritshmërive të tyre për mandatet e mundshme të deputetëve që mund t’i fitojnë koalicionet dhe partitë politike të shqiptarëve, duhet të preokupohen edhe me motivet dhe faktorët që ndikojnë në rezultatet e dobëta zgjedhore që i kanë arritur këto parti në ciklet zgjedhore të mëparshme, me shumë gjasa t’i përsëritin edhe në këto zgjedhje, për shkak të:
– mungesës së platformës unike dhe unitetit mes partive politike të shqiptarëve, si pjesë të lëvizjes së njëjtë dhe interesave kombëtare të përbashkëta;
– mungesës së strategjisë së përbashkët të veprimit;
– pjesëmarrjes së partive shqiptare me shumë lista të kandidatëve për deputetë, sipas paralajmërimeve aktualisht do të marrin pjesë me së paku 5-6 lista, por asnjëherë me një listë të përbashkët, apo së paku dy lista, një të partive në pushtet dhe tjetra e partive të opozitës;
– paaftësisë për motivimin dhe mobilizimin e një numri më të madh të votuesve shqiptarë;
– mosinteresimit për pastrimin e Listës së përgjithshme të votuesve, si burim i mossuksesit dhe numrit të vogël të deputetëve që mund të fitojnë partitë shqiptare;
– numrit të madh të qytetarëve shqiptarë në botën e jashtme dhe pjesëmarrjes tejet simbolike të tyre në zgjedhje;
– numrit të madh të qytetarëve shqiptarë që nuk kanë arritur ta rregullojnë çështjen e shtetësisë;
– mos ndryshimit të Kodit zgjedhor dhe krijimit të një njësie zgjedhore, në vend të gjashtë njësive sa ka aktualisht;
– mos aplikimit të sistemit të votimit me lista të hapura, të cilat përveç sigurimit të zgjedhjeve të lira, të drejta dhe demokratike, garantojnë edhe motiv shtesë për daljen e qytetarëve në votime;
– mosbalancimit të numrit të votuesve në 6 njësitë zgjedhore ekzistuese;
– mos efikasitetit dhe kapaciteteve të dobëta infrastrukturore, kadrovike dhe profesionale, mos trajnimin e personave dhe ekipeve për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve shqiptarë në vendvotimet me popullsi etnikisht të përzier;
– pazareve të ulëta gjatë zgjedhjeve me partitë joshqiptare dhe mungesës së marrëveshjeve për mbrojtjen reciproke të e votës së tyre, si dhe sigurimin e transparencës në procesin zgjedhor;
– numrit të madh të qytetarëve shqiptarë, që për shkaqe të ndryshme votojnë për koalicionet dhe partitë e bllokut maqedonas;
– mashtrimeve, shantazheve, kërcënimeve, kushtëzimeve dhe blerjes së votave të qytetarëve të papërcaktuar për ndonjë parti politike, apo koalicionet e tyre;
– mungesës së programit për qasje të drejtë në medie gjatë fushatës, që ndikon në mosdaljen e një numri të madh të qytetarëve në votime;
– humbjes “djegies” dhe bartjes së votës shqiptare te subjektet tjera politike, në bazë të modelit ekzistues për përllogaritjen e votave dhe të mandateve të deputetëve që duhet t’i fitojnë partitë shqiptare, etj.
Shqiptarët në Maqedoni, për këto shkaqe dhe faktorë të përmendur më lartë, asnjëherë nuk kanë arritur të fitojnë numër të mjaftueshëm të deputetëve sipas përqindjes së tyre në numrin e përgjithshëm të banorëve në këtë shtet, së paku 35-40 %, sipas kësaj edhe numër prej së paku 46-50 deputetë, në vend se 20 deputetë sa kanë aktualisht, apo sa do të mundin të fitojnë në zgjedhjet e ardhshme, më 12 prill të këtij viti.