Shkodran Tolaj në emër të Ansamblit nacional të këngëve e valleve shqipe në RMV shpreh ngushëllime për ikonën e këngës

tolaj

Na iku bilbili i këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha…..

Ndonëse e lodhur, takimet e fundit me të ishin emocionuese.
E ftova në shtator për festivalin që bashkërisht e themeluam para pesë vitesh “Ardhmëria” në Deçan dhe që nga viti i parë shprehte entuziazëm të jashtëzakonshëm për talentin e ardhmërisë së Kosovës.
Më përqafoi fort dhe tha: jam e lodhur por të lutem mos i le ata fëmijë dhe të rinjë në mes të rrugës sepse muzika sot ka degjeneruar aq shumë sa ata kanë nevojë për orientim të duhur.
Shkova sërish në fillim të nëntorit dhe e ftova për koncertin e parë të Ansamblit me 16 nëntor në Tetovë, ma ktheu: zemra më bëhet mal që qenka krijuar ansambli i këngëve e valleve shqipe, institucioni më i rëndësishëm i shqiptarëve në Maqedoni.
“Eh, po të ishte Rexho gjallë ah bre çka do bënte për atë ansambël” (Kujtoi në këtë rast kompozitorin e madh Rexho Mulliqi dhe u kthye shumë pas në kohë) Këmbyem mendime dhe në fund u ndanë me fjalët e saj “nuk kam më fuqi të ngrihem nga krevati por mezi pres ta shoh ansamblin në Prishtinë. Do ti mbledh forcat dhe do vij me iu pa me 17 shkurt për Pavarësi!”
Poooor, sot paska ikur ikona e muzikës shqipe!
Vendi i saj në koncertin e 17 shkurtit në Prishtinë do të jetë bosh por nuk do të mungojë kujtimi dhe homazhi për të. Sot na iku ajo që dukej aq e madhe nga modestia e tepërt, ajo që me zërin e saj i bëri krenarë shqiptarët kudo në botë, iku baresha e përjetshme fisnike e anëve tona kreshnike..
Iku…..për të na lënë kujtime, mall, nostalgji e mbi të gjitha këngë të pavdekshme.
Duke ndjerë personalisht thellë këtë humbje, në emër të IN Ansambli i këngëve dhe valleve shqipe në R.M.V dhe të gjithë trupës artistike, iu shpreh ngushëllime të gjithë shqiptarëve për humbjen e madhe që po ndjejmë sot!
Ne si shqiptarë, jam i bindur se do ta kujtojmë brez pas brezi me krenari, bilbilin e paarritshëm të tokës së Kosovës, Nexhmijen Pagarushën që nuk vdes kurr.
Të qofë i lehtë dheu i vendlindjes – Pagarushë që aq shumë e deshe!

Me dhembje të thellë
Shkodran Tolaj – drejtor i IN Ansambli i këngëve dhe valleve shqipe në R.M.V