Kosovë, vazhdojnë arrestimet e zyrtarëve për marrje ryshfeti

ryshfet-780x380

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje të ryshfetit.

“Me datë 13.02.2020 ka pranuar informacione se dy të dyshuar kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar “nga neni 414 dhe “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 i KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës “me datë 13.02.2020 Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), gjegjësisht Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NJRHKEK) – Prishtinë ka pranuar informatë në bazë të cilës dyshohej se dy inspektor tatimor të ATK-së gjatë inspektimit të rregullt që kanë kryer në një biznes, me lokacion në Fushë Kosovë, kanë hasur në disa parregullsi dhe me qëllim që të mos e ndëshkojnë pronarin, nga i njëjti kishin kërkuar dhe marrë ryshfet në vlerë prej 50 (pesëdhjetë) euro”.

Më tej thuhet se pas pranimit të informatës, janë ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore ku dhe janë siguruar provat e rastit, si monedha në vlerë prej 50€ e cila ishte në pronësi të njërit nga personat e dyshuar.

Të dyshuarit janë shoqëruar në zyrat e NJHRKEK – Prishtinë, të cilët janë intervistuar në cilësinë e personave të dyshuar në prezencën e avokatëve mbrojtës, dhe pas konsultimit me prokurorin kujdestar personave të dyshuar u është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.