Patinazhi në Tetovë mbetet i paarritshëm për shfrytëzim

12-15-06-lizgalishte-tetovo.jpg

Tetovarët me siguri nuk do të kenë mundësi ta shfrytëzojnë patinazhin montues në sheshin e qytetit i cili ishte dëmtuar para se të lëshohet në përdorim. Edhe pse drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport Darko Kaevski të dielën paralajmëroi se me komunën kanë biseduar për sanim dhe lëshim në përdorim të patinazhit, kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi me qëndrime kundërshtuese, tha se do të sanohet, por për shkak të kushteve të motit do të mbetet për vitin e ardhshëm.

“Normalisht që do të sanohet, por siç është moti nuk mendoj se do të mund e njëjta të shfrytëzohet. Normalisht më vjen shumë keq për faktin që punët e mira u pengojnë njerëzve. Duhet të mësohen ndonjëherë edhe në punë të mira, mund të ndodhin edhe punë të mira. Ne do ta sanojmë, dhe dimrin e ardhshëm ndoshta do të kemi më shumë fat për ta shfrytëzuar”, tha Arifi.

Në fund të dhjetorit filloi të vendoset patinazhi montues, ndërsa në natën e vitit të ri ishte djegur një pjesë e rrethojës së aluminit. Vendosja e patinazhit montues sportiv është projekt të cilin e zbaton Agjencia për Rini dhe Sport. Tetova është një nga shtatë qytetet e parashikuara për vendosje, përkatësisht montim të patinazhit me vlerë të tërësishme prej 14 milion denarë.