Ekspertët: Bombolat e gazit janë të sigurta, qytetarët të jenë më të kujdesshëm

Në 95 për qind të rasteve një bombol e gazit nuk eksplodon, por eksplodon gazi që ka rrjedhur nga bombola në hapësirë. Një bombolë e gazit mund të shpërthejë vetëm në dy raste, nëse bombola është në flakë dhe në temperaturë mbi 600 gradë celsius dhe kur bombola zbrazet tërësisht dhe flaka tërhiqet brenda në bombolë, por të dyja këto raste sipas ekspertit të sigurisë Aleksandar Tasevski,  janë jashtëzakonisht të rralla.  Ai për TV SHENJA, tha se fatkeqësitë me punën me gaz ndodhin kryesisht nga natyra njerëzore, gjegjësisht mospasja e njohurisë se si të përdoret. Ai nënvizoi se bombola si enë ku është vendosur gazi është absolutisht e sigurt për përdorim të përditshëm.

Aleksandar Tasevski, inxhinier për siguri

“Në 95 për qind të rasteve, fatkeqësi me punën me gaz, është prej natyrës njerëzore, në fakt ju gazetarët shpesh bëni gabime kur thoni eksplodoi bombola e gazit atje dhe atje, që nuk është e saktë. Në 95 përqind e rasteve eksplodon gazi që ka rrjedhur nga bombola në hapësirë. Për shkak se është kohë e dimrit, gazi është më i rëndë se ajri, dhe është poshtë afër dyshemesë. Kur njeriu e ndjen erën e gazit, tashmë është vonë dhe kjo nënkupton se hapësira është e mbushur me gaz dhe atëherë nevojitet vetëm një shkëndi e vogël e çfarëdolloj natyre, qoftë ajo prej motorit elektrik, qoftë prej ndonjë pajisjeje tjetër elektrike, dhe vjen deri në eksplodim në djegien e gazit, që ka rrjedhur prej bombolës në hapësirë”

Ai u bëri apel qytetarëve që të jenë më të kujdesshëm dhe të bëjnë kontrollin e rrjedhjes së gazit në të gjithë instalimin, duke nënvizuar se bombolat janë të sigurta dhe duke sugjeruar që vendet për shitjen e gazit i respektojnë ligjet dhe të gjitha bombolat para se të lëshohen në shitje kontrollohen në mënyrë të rreptë.

Aleksandar Tasevski, inxhinier për siguri
Gazi dhe përdorimi i gazit është shumë i thjeshtë dhe punë e sigurt nëse dini se si të punoni. Cilat janë problemet kryesore në RMV. Ato probleme janë këto, shumë shpesh njerëzit nuk i ndërrojnë pjesët e reduktimit të shtypjes që montohet menjëherë afër valvulës së bombolës. Ajo e zvogëlon shtypjen e gazit, në atë ngushticë vendoset zorra e cila poashtu duhet të jetë zorrë rezistuese ndaj gazit, nëpërmjet asaj zorre bartet gazi deri te pajisja që përdoret. Më së shpeshti në sobat e gazit. Ajo zorrë duhet patjetër të jetë rezistente ndaj gazit dhe shpesh ndodh që me vite ato pjesë nuk ndërrohen. Bëj apel tek qytetarët, kur ta ndërrojnë bombolën, e para mes valvulës dhe mjetit reduktues ta verifikojnë dhe të vendosin dikton e cila do ta pengojë rrjedhjen e gazit në atë vend. Më tej aty ku zorra futet në reduktorin e shtypjes, poashtu vendoset shtrëngim, jo tel i thjeshtë, por tel i posaçëm që ka presion më të madh të shtrëngimit. Zorra të mos jetë e dëmtuar, të mos ketë dëmtime të dukshme dhe në fund ku është lidhja me sobën, poashtu të vendoset shtrëngesë. Kur ta bëni të gjithë këtë, lëshoni gazin dhe do të merrni shkumë, në vendet lidhëse do të vendosni shkumën, do të prisni nëse do të paraqiten flluska dhe flluska më e vogël nënkupton rrezik. Nëse nuk ka flluska, fshihet dhe mund të përdoret lirshëm gazi”

Megjithatë sipas tij, varianti më i mirë kur pajiseni me gaz, është që kur të shkohet të mbushet bombola me gaz, duhet lënë enën që e keni me vete dhe të merret një bombolë e re. Ndërsa përsëriti disa herë se pasi të vendoset bombola duhet me doemos të verifikohet instalimi i rrjedhjes së gazit./Shenja/