Sulejman Rexhepi uron besimtarët mysliman për Tre muajt

Më 25 Shkurt fillojnë Tre Muajt. Pejgamberi ynë, Muhamedi (a. s.), thotë në një hadith: “Allahu im! Na i bëj të bekuar Rexhebin dhe Shabanin dhe na bashko me Ramazanin.”

Të njëjtën dëshirë, besoj, e ka edhe çdo besimtar i devotshëm në këtë mot të bekuar, kur po presim Rexhebin, Shabanin dhe Ramazanin.

Në emër të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut uroj të gjithë besimtarët me rastin e Tre Muajve, duke u dëshiruar namaz të përkushtuar, lutje përplotësuese dhe afirmim të vlerave të vërteta islame. Në simbolikën islame Tre Muajt lidhen me mbjelljen, me ujitjen dhe me korrjen, prandaj edhe ky vit, këta muaj, le të jenë ditët e asaj çka mund të japim ne për Allahun (xh. sh.) në këtë dynja dhe në dynjanë tjetër.

Dyert e Xhenetit i çel secili prej nesh, secili për vete; me falje, me lutje, në këta Tre Muaj të bekuar dhe në tërë vitin.

Allahu (xh. sh.) jua pranoftë përkushtimin!

Reis’ul-Ulema h.Sulejman ef. Rexhepi,
Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut