Përveç funksionarëve, edhe deputetët të heqin dorë nga paga gjatë kësaj periudhe

kuvendi-1-1

Propozimi për uljen e pagave të punonjësve në administratën shtetërore, si masë për të amortizuar goditjen që ka marrë ekonomia e vendit nga koronavirusi, ka përplasur partnerët e koalicionit në qeverinë teknike të Maqedonisë së Veriut por ky propozim ka ngritur edhe shumë reagime te qytetarët.

Njohësit e proceseve politike thonë një ndër masat në këtë gjendje të jashtëzakonshme, deputetët duhet të heqin dorë nga pagat e tyre ose edhe ata të paguhen me pagë minimale, sepse edhe ashtu nuk shkojnë në punë sepse Parlamenti është shpërbërë.

“Deputetët mendoj unë padyshim se duhet të heqin dorë nga paga, por edhe nga privilegjet tjera në këtë kohë krize. Këtu duhet të perfshihen të gjithë funksionarët shtetëror, këshillat drejtuese, këshilltarët e këshillave komunal të cilët tani për tani nuk po mbajnë seanca. Me një fjalë kjo garniturë duhet fillimisht të solidarizohet me krizën e krijuar në vend si rezultat i korinavirusit”, thotë analisti politik, Berat Azizi.

Sipas tij qeveria duhet të shkurtoje edhe shpenzimet për udhëtime jashtë vendit, për mobilim të zyrave, për reprezentacione dhe investimet në disa sektor që edhe ashtu me vite po zhagiten si rruga Shkup-Bllace, Ohër-Kercove dhe shumë të tjera.

“Shumë shtete tashme kanë ndërmarrë masa ekonomike ku në parim tentohet ti ndihmohet popullatës e jo të dëmtohet ajo. Po ashtu si masë tjetër do të ishte që oligarkëve tu vendohen taksa më të larta në këtë periudhë ose ndonjë model tjetër për të zbutur sadopak krizën. Në Slloveni 30 përqind janë ulur pagat për të gjithë funksionaret kurse punetorëeve sidomos ata të cilët janë të ekspozuar ndaj koronavirusit do tu riten pagat. Njejtë është situata edhe në Shqipëri ku do të bëhet një analizë e hollësishme dhe më pas do të intervenohet por nuk do të preken pagat e administratorëve”, shprehet Azizi.

Për ish kryeparlamentarin Stojan Andov është e palogjikshme që tani deputetët të marrin rrogë në kohën kur parlamenti veçmë është shpërbërë, e sidomos në këtë gjendje krize kur shteti po merr masa preventive ekonomike.

“Deputetët kanë mandat dhe për atë shkak marrin rrogë. Por tani çfarë logjike ka ata të marrin rrogë kur nuk shkojnë në punë sepse Parlamenti nuk punon. As kryetari nuk duhet të merr rrogë. Sidomos në këtë gjendje krize”, ka theksuar për Zhurnal, ish kryeparlamentari Stojan Andov.

Ndërkaq kryeparlamentari Talat Xhaferi për Zhurnal shprehet i gatshëm të solidarizohet me situatën e krijuar si shkak të coronavirusit.

Ai thotë se edhe deputetët kanë treguar se çdoherë kanë qenë solidarë dhe nuk do të ishte problem për ta nëse do të hiqnin dorë edhe nga paga.

“Për deputetët nuk është problem të solidarizohen, me heq dorë prej krejt rrogës nuk di kush si i ka statuset në bazë të obligimeve, por për tu solidarizuar nuk mendoj se është problem për deputetët. Mbi gjitha është situata e tillë që nuk përjashtohet ajo mundësi e solidaritetit. Mënyra se si bëhet është punë e ekzekutivit. Nuk është problematike, me cilindo qoftë me deputetët ta bisedoni është i gatshëm për solidaritet, nuk përjashtonë atë. Në të shumtën e rasteve që ka pasur, deputetët kanë qenë pjesmarrës në gjitha aktivitetet siç ka qenë edhe gjatë tërmetit në Shqipëri edhe gjatë situatave të ndryshme domethënë nuk janë ndarë nga solidariteti.

Ndërsa për analistin politik Berat Azizi propozimi i ish kryeministrit që të gjithë të marrin pagë minimale jo vetem që nuk e zgjidh krizën ekonomike por akoma më shumë do ta rëndojë ate.

“Sepse të marresh nga një punëtor publik dhe të paguash një punëtor në sektorin privat jo vetëm që është antikushtetuese por nuk është njerzore. Ka kompani që fitimin e kanë me miliona falë tendereve që kanë fituar dhe të subvencionosh pagat e punëtorëve të tyre është absurde. Në asnjë vend të botës nuk ka ndodhur një propozim i tillë. E dyta për dy javë sa ka filluar kjo gjendje ne nuk kemi një pasqyrë të qartë për situatën ekonomike dhe cili sektor është prekur më shumë. Unë mendoj se masa e parë duhet te jetë rishikimi i buxhetit, zvogëlimi i pagave të ministrave dhe deputetëve, zvogëlimi i privilegjeve, zvogëlimi i numrit të këshilltarëve të ministrave, kthimi i parave të vjedhura që janë në proces gjyqësor dhe funksionimi u orës financiare të premtuar para katër viteve. Një porosi do kisha edhe për deputetin e LSDM Muhamed Zeqirin administratorët nuk janë egoist, janë shumë solidar por nuk do lejojnë që të goditet shtresa më e varfër në shtet. Nuk është e njejtë të shkurtohet paga për atë që merr nga 1 deri në 3 mijë euro në muaj dhe për atë qe merr 250 deri 300 euro”, ka deklaruar për Zhurnal, analisti politik Berat Azizi.

Nga ana tjetër analisti politik Blerim Hyseni thotë se edhe nëse deputetët do të hiqnin dorë nga paga, nuk do të kishte asnjë efekt ekonomik por do të ishte vetëm një vullnet i mirë nga ana e tyre.

“Vlerësoj që është në ndergjegjen e tyre se do të marrin rrogën ose jo por parasegjithash cili do të ishte efekti i ketij hapi? Nuk do të kishte asnjë efekt ekonomik por do të ishte vetem nje vullnet i mirë nga ana e tyre. Se dyti mendoj që ligjërisht atyre iu takon paga dhe ndoshta duhet menduar qe kjo çështje duhet rregulluar me zgjidhje ligjore sepse tek e fundit edhe deputetet kanë familje dhe duhet të ushqehen. Sikur te ishte ndryshe zgjidhja ligjore atëherë nuk do të vinim deri te një situatë e këtillë. Nga ana tjetër deputetët vetëm pagen kane dhe nuk gezojne privilegj tjetër ndërsa është mirë të mendohet për hallkat e tjera të pushtetit ku privilegjet e disa funksinarëve janë të shumta”, ka deklaruar për Zhurnal, analisti Blerim Hyseni.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski kritikoi masat e propozuara nga oponenti i tij politik, Zoran Zaev. Ai kërkoi nga funksionarët shtetëror, veçanërisht ato qeveritar dhe të profilizuar si ato që vijnë nga partia në pushtet LSDM, të heqin dorë nga pagat e tyre dhe në periudhën vijuese të punojnë pa kompensim.

“Propozim ta jep ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, ndërsa unë do ta mbështesë. Të vendoset në rend dite dhe të votohet urdhëresë me të cilën të gjithë të emëruarit, zëvendësat, sekretatër dhe të gjithë personat e emëruar nga Qeveria të heqin dorë nga të ardhurat derisa kanë mandat”, deklaroi Mickoski./Zhurnal/