Kreu i BFI-së, Shaqir Fetai ka uruar qytetarët me rastin e Kurban Bajramit.
MESAZHI I FESTËS SË KURBAN BAJRAMIT NGA REISUL ULEMA H.HFZ. SHAQIR EF. FETAI
لَنْ يَنَالَ اللّٰهَ لُحُومُهَا وَلَا دِمَٓاؤُ۬هَا وَلٰكِنْ يَنَالُهُ التَّقْوٰى مِنْكُمْؕ كَذٰلِكَ سَخَّرَهَا لَكُمْ لِتُكَبِّرُوا اللّٰهَ عَلٰى مَا هَدٰيكُمْؕ وَبَشِّرِ الْمُحْسِنٖينَ
Te Allahu nuk arrin as mishi i tyre as gjaku i tyre, por te Ai arrin vepra e mirë – e bërë nga ju, kështu Ai – ua ka nënshtruar juve ato, për ta madhëruar ju Allahun, që ju ka udhëzuar (në rrugën e drejtë). Dhe, sihariqoji bamirësit! (Sureja el- Haxh, Ajeti: 37)
Të nderuar besimtarë,
Vëllezër e motra!
Jemi në vigjile të Festës së madhe të Kurban Bajramit, festë kjo që në vete ngërthen tri ngjarje të rëndësishme që drejtuan botën drejt rrugëtimit të drejtë të njerëzimit: Në këto ditë përfundoi shpallja e Kura’anit Famëlartë, me të cilin njëherë e përgjithmonë u dhanë konceptet hyjnore mbi Zotin, njeriun dhe shoqërinë; në këto ditë kryhet kushti i pestë Haxhi në Mekken fisnike, në Qa’be, Arafat, Mine, Muzdelife dhe shumë obligime tjera; pjestarët e Islamit në të gjithë botën kryejnë obligimin e therrjes së kurbanëve duke u inspiruar nga Ibrahimi a.s. dhe Muhamedi a.s.
Të gjitha këto porosi hyjnore nga i Madhi Zot i japin vlerë të lartë festës së madhe të Kurban Bajramit.
Andaj, kjo festë paraqet lidhshmëri me Zotin e Plotfuqishëm, përkushtim ndaj porosive të tij, edukim i shpirtit për sakrificë në vepra të mira, vetëdije për njeriun si vepër më madhore e Zotit, inspirim dhe gatishmëri për ngritjen e jetës, vlerave, humanitetit, barazisë, paqës, tolarancës në mes njerëzve.
Kjo festë e madhe e Kurban Bajramit i flet njeriut bashkëkohorë që krahas zhvillimit në sfera të ndryshme, t’i kthehet shpirtit, moralit, familjes së shëndoshë, shoqërisë fisnike që do të kontribuojë në afrimin në mes kombeve, në ndihmën në mes njerëzve, në ndaljen e vrasjeve, mbytjeve, luftrave, masakrave, gjenocideve, dhe evitimin e anomalive të rrezikshme që rrënojnë moralin njerëzor.
Festa e Kurban Bajramit simbolizon devotshmërinë e nivelit të lartë. Ajo na mëson të duam dhe t’i shërbejmë njëri tjetrit, të duam vetveten, familjen dhe njeriun e në veçanti të duam vendin ku jemi lindur duke mos e shkretuar atë duke migruar në vende të ndryshme të botës.
Mesazhi i Kurban Bajramit na mëson që ne t’i qasemi jetës në vendin e nënave ku na kanë lindur, sepse ky vend ndjen dhimbje kur ia kthen shpinën, ç’do kush në vendin ku jeton dhe vepron ka obligim të ngritjes së punës së tij, zhvillimit të vendit të tij, për të ngritur një shoqëri ku fëmijët tanë do të jetojnë të lumtur.
Mu për këtë, festa e Kurban Bajramit me të gjitha vlerat dhe elementet e saja ritualistike tregon konceptin e ngritjeve të shoqërive duke na mësuar se nuk ka vepra madhore pa sakrifica madhore dhe se ndihma e Zotit intervenon atëherë kur me përkushtimin më të madh japim gjithçka nga vetja, sinqeritetin, angazhimin, dijen, për një të ardhme më të mirë.
Le të jetë kjo festë inspirim i gëzimit tonë, afërsisë me njëri tjetrin, evitim i ngatërresave në mes veti, shtrirja e dorës së pajtimit çdo njërit. Bëhu shërbyes i të varfërit, skamnorit, invalidit, të pa aftit, tregoju çdokujt se paqeja është mbi gjjthçka, përhapni në mes njerëzve dashurinë, respektin, kultivoni të mirën, mëshirën, buzëqeshjen dhe ndihmën në mes veti, sepse i Madhi Zot në Kur’anin Famëlartë na drejtohet duke na thënë:
وَتَعَاوَنُوا عَلَى الْبِرِّ وَالتَّقْوٰىࣘ وَلَا تَعَاوَنُوا عَلَى الْاِثْمِ وَالْعُدْوَانِࣘ وَاتَّقُوا اللّٰهَؕ اِنَّ اللّٰهَ شَدٖيدُ الْعِقَابِ
“Ndihmoni njëri-tjetrit në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat, dhe mos ndihmoni në mëkate dhe armiqësi! Dhe druajuni Perëndisë! Se, Perëndia, dënon ashpër.” (Sureja el-Maide, Ajeti: 2)
Në fund, kam nderë të veçantë që në emër të BFI e RMV – së, të gjith besimtarëve në vend dhe jasht vendit t’ju shprehi urimet më të përzemërta me rastin e festës së madhe të Kurban Bajramit, duke ju lutur Allahut Fuqiplotë që t’i pranojë lutjet tona, bamirësitë tona, kurbanët tanë, haxhin e të gjithë haxhilerëve që po kryejnë haxhin në vendet e shenjta, të gjitha ibadet tona të cilat i bëjmë në këtë festë të madhe.
Urime dhe me hajr na qoftë festa e Kurban Bajramit.
Allahu ju bekoftë!
Esselamu alejkum ve rahmetullahi Teala ve berekatuhu!
Paqeja, mëshira dhe begatitë e të Madhit Zot qofshin mbi ju!