Lajme
Shpëtohet një motoçiklistë i cili kishte rënë në një grykë në Malin Sharr
Një motoçiklist i lënduar, i cili ra në një grykë në malin Sharr, është shpëtuar mbrëmë nga një ekip policor nga stacioni i Mazraçës.
QMK-ja njoftoi se dje në orën 17:31 është marrë njoftim për një person të plagosur pasi ka rënë me motoçikletë në grykë. Lokacioni ka qenë në terren të vështirë për t’u aksesuar në vendin e quajtur “Dera e Vogël” afër “Liqenit të Zi” në Malin Sharr, në pjesën afër kullës së vrojtimit “Mazraça” në pjesën drejt kufirit me Kosovën.
Personi ka qenë duke lëvizur me motoçikletë dhe pasi ka rënë në luginë ka thyer këmbën. Në ora 18:15 nga Stacioni Policor “Galatë” ka raportuar se policët e stacionit policor të Mazraçës kanë arritur ta nxjerrin dhe ta zbresin në fshatin Gjurgjevishtë, ku po priste ekipi mjekësor i urgjencës nga Spitali “Ferid Murat” nga Gostivari.
Lajme
Biznesmenë nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Italia të përfshirë në një skandal të madh të pastrimit të parave
Policia financiare e Italisë ka kërkuar informacione për disa biznesmenë nga Maqedonia e Veriut të përfshirë në një skandal të madh ndërkombëtar për pastrim parash, evazion fiskal dhe shpërdorim detyre lidhur me shitjen e fabrikës së çimentos në Padova të Italisë, shkruan portali MKD.
Sipas këtij portali, nga Kosova është përfshirë kompania “Klinacem”, përfshirë edhe personalitete të biznesit, qarqeve tjera dhe avokatë nga Drenica, Prishtina dhe Uroshevaci.
Në skandalin që peshon 7 milionë euro janë përfshirë edhe biznesmenë dhe avokatë nga Shkupi, Tirana dhe Italia. Bëhet fjalë për një kontratë shitblerjeje të një fabrike çimentoje në Padova, e paguar me para në dorë.(INA)
Lajme
Milazim Krasniqi: Shteti imagjinar kundër kombit shqiptar
Shkruan: Milazim Krasniqi
Para pak ditësh kremtuam 28 nëntorin, ditën e pavarësisë së Shqipërisë, e cila është data më e rëndësishme në historinë e kombit tonë. Meqë ne ende nuk e kemi një histori të shkruar dhe të verifikuar të kombit tonë, ne nuk e kemi vlerësimin e plotë të rëndësisë së kësaj date për fatet e kombit tonë, të cilat do të mund të ishin edhe më fatale nga sa qenë, po të mos ishte proklamuar atë ditë Shqipëria e mosvarme, si atdhe i të gjithë shqiptarëve, të të gjitha territoreve, të të gjitha grupeve sociale dhe të gjitha bindjeve politike e fetare. Pa atë pavarësi të proklamuar, me shumë gjasë etnia shqiptare më parë do të fshihej nga faqja e dheut, se sa që do të konsolidohej në një komb evropian, aq më pak në një komb unik, i cili e realizoi brenda vetes edhe sintezën e identiteteve fetare. Shqipëria e pavarur dhe e pandarë edhe sot mbetet kusht për ekzistencën e kombit shqiptar.
Projektet politike dhe planet ushtarake të shteteve ballkanike, sigurisht të miratuara edhe nga disa nga fuqitë evropiane ishin kundër ekzistencës së çfarëdo Shqipërie të pavarur. Në fakt ishin për shkatërrimin biologjik të shqiptarëve dhe asimilimin e atyre që do të mbijetonin. Ato projekte u vunë në zbatim sidomos gjatë lufërave ballkanike. Sipas demografit e historianit amerikan, Xhastin Mc Carthy, 27% e shqiptarëve janë vrarë, ndërsa 35% janë dëbuar nga vatrat e veta, që i bie se në total janë çrrënjosë 62% e shqiptarëve. “Të dhënat e Luftërave Ballkanike tregojnë se në Ballkanin Qendror dhe Perëndimor, 27% e myslimanëve kanë vdekur dhe 35% e tyre kanë marrë arratinë. Shqiptarët pësuan një vdekshmëri që ishte, të paktën, po aq e madhe.”(f. 16)
Produkti që u përftua pas gjenocidit serb e grek kundër shqiptarëve në luftërat ballkanike ishte një Shqipëri e dërrmuar, një komb i traumatizuar, i copëtuar, i defetarizuar, më saktë i deislamizuar, i cili nuk pati fuqi t’i kundërvihej ideologjisë komuniste, ku ajo u shfaq, sepse e kishte humbur ekuilibrin dhe imunitetin.
Megjithatë, pavarësia e Shqipërisë e pamundësoi zhdukjen e të gjithë shqiptarëve. Për ata shqiptarë që mbeten jashtë shtetit shqiptar, mbeti gjithnjë kërcënuese përsëritja e gjenocidit, gjë që u riciklua disa herë nga serbët e grekët. Por as gjithë ato mizori nuk u mjaftuan armiqve tanë. Prandaj ata rihartuan projekte për zhdukjen e shtetit shqiptar. Sponsorizuan rebelimin e haxhi Qamilit, Protokollin e Korfuzit, Marrëveshjen Pashiq-Toptani, Republikën e Mirditës. Traktati i fshehtë i Londrës i viti 1915 është dëshmi e hidhur e tërë asaj armiqësie kundër Shqipërisë. Poashtu në projektin e Ivo Andriqit të vitit 1939 insistohej në copëtimin dhe zhdukjen e Shqipërisë, me arsyetimin se çfarëdo Shqipërie që të ekzistonte, do të ishte referencë për iredentizmin shqiptar të territoreve të okupuara. Pra, copëtimi ose dezintegrimi i Shqipërisë, me formimin e ndonjë kreature të re mercenare, ka mbetur deri në ditët tona orientim strategjik i armiqve të shqiptarëve.
Në fakt, u duk sikur pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999, armiqtë ishin të dekurajuar nga synimet e tyre, por ajo nuk zgjati shumë. Rikthimi te projektet për dezintegrimin e Shqipërisë dhe për futjen e thikave të përçarjes ndër shqiptarë tashmë janë rikthyer me shumë virulencë. Dy prej tyre veçohen për arsye se formalisht duken me autorësi nga vetë shqiptarët. E para është iniciativa morbide për braktisjen e fesë islame, e emërtuar si “Lëvizja e Deçanit”, e cila ka elemente të Rekonkuistës spanjolle, e cila u imponoi hebrenjve dhe muslimanëve në Spanjë e Portugali konvertimin, ose dëbimin dhe vdekjen. Pra, në Kosovë po synohet të bëhet konvertimi i muslimanëve në të krishterë, tash për tash vetëm me dhunë propagandistike. Ndërsa në Shqipëri u lancua një iniciatvë poashtu morbide, për formimin e një kreature fetare-shtetërore të bektashinjve. Po të mos lancohej nga kryeministri i Shqipërisë, iniciativa do të mund të trajtohej si një ide e ndonjë të lajthituri, ose të droguari, i cili në zellin e ndonjë transi kuazifetar, ka përfytyruar pronësinë mbi një shtet imagjinar. Por, e lancuar nga kryeministri i Shqipërisë, iniciativa ka elemente të një kalkulimi gjeopolitik, të maskuar me një mantel religjioz. Kryeministri mund të jetë futur në një lojë gjeopolitike, të udhëhequr nga qarqe okulte, por mbetet e pakuptueshme pse është futur në atë lojë kreu i bektashijve shqiptarë. Kjo lojë e tij paraqet problem shumë më serioz. Kreu bektashi në një rast ka deklaruar se e don një shtet bektashi “njëlloj Vatikani.” Analogjia me Vatikanin e zbulon se është fjala për futjen e tij në një konsipraciom të përmasave të mëdha, ku Shqipëria rrezikon të përdoret si dashi që përdorej për të thyer portat e kështjellave në Mesjetë. Një udhëheqës fetar i devotshëm nuk mund të futet në aso aventure. Ta fusësh Shqipërinë në skemën e luftërave sektare të botës së sotme muslimane, madje duke i dhënë një rol “qendror”, minimalisht do të thotë ta ekspozosh në të ardhmen si një shënjestër të ekstremizmit të dhunshëm dhe të terrorizmit. Pse? Sepse ato shtete muslimane e ata agjentë joshtetërorë që do të ndiheshin të atakuara nga ajo kreaturë fetare konkuruese ndaj pozitave të tyre, do ta shndërronin Shqipërinë në cak legjitim të sulmeve të tyre terroriste, natyrisht edhe të sulmeve diplomatike, ekonomike e propagandistike. Siç shihet e dihet, në decenien e fundit bota ka parë tmerrin e konflikteve sektare në Siri, në Irak, në Libi, në Jemen, në Sudan, sikundër që ka parë tmerrin e kasaphanes sektare ndërmjet Irakut e Iranit në vitet tetëdhjetë. Prandaj kushdo që tenton të bartë në Shqipëri atë mal urrejtjesh, paragjykimesh e armiqësish nga Lindja e Mesme, bën edhe akt të rëndë tradhtie shtetërore e kombëtare.
Futja në atë sherrnajë të lemerishme të Lindjes së Mesme do të shërbente edhe për ta rihapë kutinë e Pandores të urrejtjes, paragjykimeve dhe armiqësive të kombeve ballkanike e europiane kundër Shqipërisë e shqiptarëve. Ashtu Shqipëria do të ishte në një senduiq të armiqësive të shteteve muslimane në njërën anë dhe të shteteve europiane, nën akuzën se bëhet shkaktare e jostabilitetit dhe dhunës, në anën tjetër. Si mund të mbijetojë një shtet i vogël dhe i varfër si Shqipëria në një asi rrethimi armiqësor? Thjesht, nuk ka gjasa të mbijetojë, prandaj në atë rast rrezikon të kthehet sërish në objekt të copëtimit e të dezintegrimit, si në rastin e Protokollit të fshehtë të Londrës.
Ngado që ta vështrosh, mbetet e qartë si është e mundshme që një shtet shtet sekular, anëtar i NATO-s, në proces integrimi në Bashkimin Europian, të marrë përsipër formimin e një shteti fetar në territorin e vet dhe atë në kundërshtim me Kushtetutën e shtetit dhe që për atë shkak të futet një një sherrnajë globale e në një rrezik potencial për t’u rikthyer në objekt planesh ogurzeza të armiqve që gjithnjë kërkojnë pretekste për sulme, ngase kurrë nuk kanë reshtur së bëri plane për zhdukjen e tij.
Po të shikohet vetëm në planin thjesht fetar, nuk mund të ketë asnjë shenjë barazie ndërmjet katolicizmit e bektashizmit, rrjedhimisht në asnjë rast Vatikani nuk mund të shërbejë si një model për organizimin e jetës fetare të bektashijve shqiptarë. Prandaj këshilla ime është: mbylleni këtë qasje donkishoteske dhe idiotike!
Poashtu është e ditur se bektashizmi nuk është fe më vete po është një sekt i fesë islame, ndonëse një sekt i devijuar në disa segmente në raport me Shpalljen e fundit Hyjnore. Por fe, sidomos fe e shpallur, nuk mund të jetë asnjëherë. Prandaj do të duhej të braktiseshin edhe ato lojëra të vjetra e të reja me statusin e bektashizmit si gjoja fe më vete e komunitet fetar më vete. Nëse shkon më tutje kjo tendencë e separimit, ajo mund ta dëmtojë sintezën e arritur të harmonisë fetare brenda kombit shqiptar. Në atë rast mund t’i ekspozojë bektashijtë si plangprishës e kjo etiketë, për një komunitet aq të vogël prej 115.000 frymësh që nuk kalojnë as 5% të shtetasve të Shqipërisë, mund të ketë pasoja shumëplanëshe. Meqë kontributet e shqiptarëve bektashi, që nga formimi i kombit e këndej, do të mbeten përherë në pronësi të kombit shqiptar, një krature bektashiane purofetare do të ishte pa kujtesë, pa histori, pa ardhmëri.
Një kreature të tillë absurde do të mund t’i matej e mbahej mend vetëm dëmi që do t’i shkaktonte kombi tonë. Njëri nga dëmet e mundshme do të ishte oksigjenimi i projektit okult për formimin e të ashquqajturit “komb kosovar” në Kosovë. Ka disa qarqe klerikalo-fashiste në Perëndim, të cilat sponsorizojnë idenë e formimit të “kombit kosovar”, me synimin që ta amputojnë këtë pjesë të kombit shqiptar nga korpusi shqiptar dhe që më lehtë ta krijojnë realitetin për kthimin e Kosovës nën kontrollin serb. Pra, nëse do të formohej një kreaturë shtetërore e bektashijve në truallin shqiptar, ajo do të mund të përdorej si stimulues për idenë e kombit kosovar, duke e relativizuar identitetin shqiptar. Ndërsa në atë rast shumë më lehtë do të arsyetohej projekti serb për formimin e një entiteti fetar e shtetëror serb, i cili do të lidhte Patriarkanën e Pejës dhe manastirin e Deçanit. Ka disa vite që në qarqe të caktuara fetare e shtetërore serbe propozohet kthimi i selisë së Patriarkanës Serbe nga Beogradi në Pejë. Sikundër dihet, manastirin e Deçanit e ruajnë në mënyrë speciale forcat e KFOR-it, i cili faktikisht është jashtë juridiksionit shtetëror të Kosovës, bashkë edhe me disa monumente të tjera ortodokse serbe, që kanë statusin e eksterritorialitetit.
Me gjasë, ideja për shtetin bektashi e ka brenda vetes strategjinë që në stilin e karambollit, të ndihmojë për formimin e të ashtuquajturit “Atosit serb” në Kosovë e ndoshta edhe të një autonomie të Himarës. Pra, ngado që ta shikosh, ideja për formimin e një shteti fetar bektashi në Tiranë, është e rrezikshme, jo vetëm për stabilitetin e reputacionin e mirë të shtetit shqiptar, po edhe për ekzistencën e kombit shqiptar.
Në Prishtinë, 2 dhjetor 2024
Lajme
Toshkovski: Të gjithë të arrestuarit trajtohen njëjtë
Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, interepelancën nga Fronti Europian e vlerëson si tentativë të ulët për të manipuluar opinionin. Ai tha se tezat që janë hedhur nga BDI në periudhën e kaluar janë në vetëvete kontradiktore.
PANÇE TOSHKOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME
“Mendoj se qytetarët e Maqedonisë e dinë shumë mirë se çfarë qëndron pas kësaj interpelance nga aspekti i kërkesës së tyre. Paçin fat. Kuvendi do të veprojë në drejtim të asaj që mendon. Sinqerisht mendoj se kjo është një përpjekje e ulët për të manipuluar publikun”.
Toshkovski, i pyetur lidhur me ngjarjet e 28 nëntorit, për djeget e flamujve tha se deri më tani MPB lidhur me këto ngjarje ka arestuar 18 persona. Ai theksoi se rastet akoma po hetohen dhe se gjithkush që ka shkelur mbi ligjin do të ndëshkohet.
PANÇE TOSHKOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME
“MPB deri tani në lidhje me këto raste ka arestuar 18 persona nga ato 4 janë në paraburgim. Ndaj dhjetë prej tyre kanë filluar procedurat penale lidhur me veprimet që i bënë në komunikacion para se gjithash edhe që rrezikohej jeta e bashkëudhëtarëve. Ne si MPB kemi intervenuar në kohë dhe me përgjegjësi dhe po hulumtojmë për të gjithë atë që lidhet me këtë rast në drejtim të asaj se si ka kanë ndodhur ngjarjet si nga aspekti i motivit si nga aspekti I veprimeve të ndërmara. Në këtë moment dua të them se ne do të veprojmë në mënyrë të njejtë pavarësisht se për kë bëhet fjalë”.
Lidhur me djegjen e veturave dhe objektit në Kumanovë Toshkovski tha se dyshohet se pas incidentit qëndron një grup i organizuar mirë dhe se rasti është akoma nën hetime.
-
Lajme1 month ago
Detaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lajme7 months ago
Këto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lifestyle7 months ago
Trashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme10 months ago
Burrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme7 months ago
Ja kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme9 months ago
Detajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
-
Lajme7 months ago
Ja kush janë 19 deputetët e koalicionit “Fronti Evropian” (LISTA)
-
Lajme7 months ago
KSHZ publikon rezultatet e para të zgjedhje parlamentare