Lajme
Turqit e RMV-së njëzëri kundërshtojnë ashpër vendimin për Jeni Xhaminë në Manastir
Vendimi që Xhamia e Re në Manastir, të shndërrohet në muze të trashëgimisë kulturore krishtere dhe islame, po shkakton reagime të fuqishme nga faktorët vendas dhe rajonal.
Gjatë këtyre ditëve përveç që kishte reagime nga Bashkësia Fetare Islame në RMV, faktori politik shqiptar dhe OJQ të ndryshme, nuk kanë munguar reagimet as nga faktori politik turk, shoqëria civile në vend dhe rajon.
Lidhur me këtë vendim arbitrar dhe të paarsyeshëm, ku vendi i adhurimit tentohet të shëndrrohet në muze, nuk ka lënë pa zë as turqit e Maqedonisë së Veriut, të cilët njëzëri dhe në mënyrë të ashpër kanë dënuar këtë vendim.
Kryetari i Departamentit për Turqit që Jetojnë Jashtë Atdheut dhe Marrëdhëniet me Komunitetet Mike (YTB), Abdullah Eren, ka publikuar një mesazh dënimi lidhur me shndërrimin e Xhamisë së Re në Manastir në muze. Eren ka thënë se kjo që po ndodh me Xhaminë e Re në Manastir është një vendim i papranueshëm dhe i padrejtë.
ABDULLAH EREN, KRYETAR I YTB-SË
“Shndërrimi i Xhamisë së Re, e njohur gjithashtu si Xhamia Kadi Mahmud, një trashëgimi e të parëve tanë në Manastir, një nga qytetet më të rëndësishme të Maqedonisë së Veriut, në një të ashtuquajtur ‘Muze të Trashëgimisë Kulturore të Krishterimit dhe Islamit’, duke e shkëputur këtë vend adhurimi nga funksioni i saj origjinal, është një vendimi të padrejtë dhe krejtësisht i papranueshëm. Shpresoj që autoritetet e Maqedonisë së Veriut, të tërhiqen menjëherë nga ky vendim dhe që Xhamisë së Re t’i rikthehet statusi si vend adhurimi dhe t’u vihet në dispozicion funksionimi për myslimanët. Dua të theksoj në mënyrë të veçantë, se Turqia, gjithmonë do të jetë pranë bashkëkombësve dhe komuniteteve vëlla të Maqedonisë së Veriut”
Lidhja e Organizatave Joqeveritare Turke të Maqedonisë (MATUSITEB), ka reaguar në lidhje me vendimin e palogjikshëm që Xhamia e Re në Manastir është kthyer në muze.
MATUSITEB
“Vendimi që pas dyerve të mbyllura, ku Xhamia Kadi Mahmud ose e njohur si Xhamia e Re, një trashëgimi osmane në Manastir, është kthyer në ‘Muze e Krishterimit dhe Islamit’, përbën një mungesë respekti ndaj vlerave historike dhe kulturore.
Ky vendim i paligjshëm jo vetëm që dëmton kulturën e bashkëjetesës, por gjithashtu lëndon ndjenjat e bashkëkombësve tanë dhe të myslimanëve. Dënojmë ashpër këtë vendim, dhe u bëjmë thirrje autoriteteve që të heqin dorë menjëherë nga ky gabim”
Përveç sektorit civil turk, ku ditë më parë dënuan vendimin për Jeni xhaminë, Shoqata Kulturore “Kopru”, shoqata “Genç Kalemler”, redaksia e lajmeve turke në vend – TIMEBALKAN, reagime të ashpëra kanë pasur edhe politikanët turq në vendin tonë.
Në lidhje me këtë situatë ditë më parë, përfaqësuesi i Lëvizjes së Turqve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci, profesor Sulejman Baki, dhe deputeti nga Fronti Europian, Salih Murat, kanë thënë se ky vendim arbitrar dhe i paligjshëm është në kundërshtim me vlerat themelore të vendit tonë, kushtetutën dhe të drejtën ndërkombëtare, ndërsa u kërkua rikthimi i kësaj vepre islame-osmane në origjinalin e saj.
Kryetari i Partisë Demokratike Turke (TDP), njëherazi edhe deputet nga Fronti Europian, Bejxhan Iljas, ka dënuar ashpër vendimin për shndërrimin e Jeni xhamisë në muze të trashëgimisë kulturore krishtere dhe islame.
BEJXHAN ILJAS, KRYETAR I PARTISË DEMOKRATIKE TURKE
“Xhamia e Re ose Xhamia Kadı Mahmud Efendi në qytetin e Manastirit, është shndërruar në Muze të Trashëgimisë Kulturore Kristiane-Islame nga Instituti i Muzeve të Manastirit. E dënoj ashpër këtë vendim, ku kjo vepër osmane-islame, e cila më herët është përdorur si Galeri Arti, tani po kthehet në muze. Kultura e bashkëjetesës përshkruhet përmes dialogut dhe paqes, ndërsa diversiteti pranohet dhe respektohet si e tillë. Për ne, nuk është aspak e pranueshme, që një vepër islame osmane të degradohet në këtë mënyrë. I bëj thirrje autoriteteve shtetërore që të korrigjojnë menjëherë këtë padrejtësi”
Reagim në lidhje me vendimin për Xhaminë e Re në Manastir, ka pasur edhe nga partia turke Lëvizja për Bashkim Kombëtar të Turqve (TMBH) e Erdogan Saraçit, parti kjo e cila është pjesë e koalicionit qeveritar VMRO-ZNAM-VLEN. Theksohet se objekti fetar i ndërtuar në vitin 1558 nga Kadı Mehmed Efendi, në vend që t’i rikthehej funksioni i saj i mëparshëm, është shndërruar në një muze që bie në kundërshtim me qëllimin për të cilin u ndërtua.
LËVIZJA PËR BASHKIM KOMBËTAR TË TURQVE
“Shkatërrimi i një xhamie që për më shumë se 350 vite ka shërbyer besnikërisht si vend adhurimi dhe i është qëndruar besnik qëllimit të saj origjinal, është një akt që nuk mund të pranohet në asnjë rrethanë. Me keqardhje të madhe vlerësojmë se ky veprim i Muzeut të Manastirit, mund të nxisë tensione ndërfetare. Ne duam të theksojmë që për turqit, shqiptarët dhe romët, që janë minoritete në Manastir, dhe përgjithësisht për myslimanët, ky veprim do të jetë shumë i rëndë dhe tepër i dëmshëm. Që nga viti 1994, kur për herë të parë kërkuam që kjo xhami t’i rikthehej funksionit të saj, ku tashmë kanë kaluar 30 vjet, është e papranueshme që kjo vepër historike turko-islame të mbetet ende larg qëllimit për të cilin u ndërtua, edhe atë pa asnjë justifikim të vlefshëm”
Në reagim thuhet se nëse gjatë 530 viteve të sundimit osman në këto troje do të ishin ndërtuar xhami mbi themelet e kishave, nuk do të kishte mbetur asnjë kishë e vetme. Lëvizja për Bashkim Kombëtar të Turqve rikujton se kjo xhami një herë ka shërbyer edhe si ‘Galeria e Arteve Mosha Pijade’, ndërsa qëllimi për ta mbajtur larg funksionit të saj origjinal, sot është shndërruar në një politikë shtetërore.
“Fatkeqësisht, Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut, e cila është palë e drejtpërdrejtë në këtë çështje, nuk ka mundur të mbajë qëndrimin e duhur ose, ndoshta, si rezultat i ndonjë pazari, e ka braktisur atë, që këtë nuk mund ta dijmë”, janë shprehur nga Lëvizja për Bashkim Kombëtar të Turqve /SHENJA/
Lajme
Izraeli publikon hartën: Raketat e Iranit mund të arrijnë edhe vendet e Ballkanit
Zyrtarë izraelitë kanë publikuar një hartë të rrezes së raketave iraniane, ku pretendohet se mund të “arrijnë” edhe deri në Evropë, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor si Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën, Malin e Zi, Sofjen, etj.
Sipas tyre, raketat balistike iraniane kanë kapacitet që të arrijnë qëllime jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe thellë në Evropë.
Në një deklaratë, Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit paralajmëroi se aftësitë raketore të Iranit “shkërcejnë përtej Lindjes së Mesme”, dhe e përshkruan regjimin në Teheran si një kërcënim në rritje për paqen botërore.
Në një grafik të publikuar përkatësisht nga Qendra për Studime Strategjike dhe Mbrojtje, është shfaqur një hartë me rreze të ndryshme goditjeje që shtrihen nga rreth 300 deri në rreth 2500 kilometra, çka bën që një pjesë e konsiderueshme e Evropës Juglindore të bjerë brenda potencialit të kërcënimit.

Më të rrezikshme konsiderohen raketat balistike me mesatare dhe të gjata, si Shahab-3 dhe Ghadr-110, të cilat sipas vlerësimeve mund të arrijnë deri në rreth 2000 kilometra.
Sipas hartës, brenda këtij rreziku janë kryeqytete si Athina, Sofja, Tirana, Shkupi, Podgorica, Bukureshti, por edhe qytete të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Në rrezen më të gjerë teorike, mund të përfshihen edhe kryeqytetet si Budapesta, Vjena, Varshava dhe Bratislava (me kusht që distanca e konsideruar të jetë maksimale).
Sidoqoftë, analistë të pavarur paralajmërojnë se këto raketa me shumëllojshmëri rrezesh janë teorike dhe nuk do të thonë domosdoshmërisht se ato do të godasin automatikisht këto destinacione, pasi aftësia operative varet edhe nga faktorë si saktësia, pengesat e kontrollit ajror, dhe kushtet taktike.
Lajme
BDI paralajmëron: Çdo ndërtim i paligjshëm në Çair do të denoncohet
Bashkimi Demokratik për Integrim, ka reaguar për vazhdimin e ndërtimeve të objekteve të banimit në mënyrë të paligjmë në Çair ose sic pretendojnë ata në rrethana shumë të dyshimta. Sipas BDI-së, këto ndërtime po bëhen me tolerim të institucioneve komunale. Arianit Ademi nga BDI, theksoi dhe pasojat që sipas tij janë të qarta si rrugë të bllokuara, mungesë parkingu, presion mbi infrastrukturën dhe humbje e hapësirave publike.
ARIANIT ADEMI-BDI
‘’Ata jetojnë në komuna të tjera, si Buteli, ndërsa Çairin e përdorin si vend për përfitime financiare nga ndërtimet. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë. Sot i bëjmë thirrje publike Komunës së Çairit: Të ndalojë menjëherë çdo tolerim ndaj ndërtimeve të paligjshme dhe çdo marrëveshje që lejon uzurpimin e hapësirave publike’’.
Sipas Ademit, institucionet ndëshkuese kanë detyrim ligjor të veprojnë, dhe nëse nuk veprojnë, përgjegjësia do jetë e tyre. Ademi bëri të ditur se BDI – Çair do të fillojë identifikimin e çdo parcele dhe çdo hapësire publike ku tentohen ndërtime të paligjshme. Dhe sic njoftoi ai cdo rast do të bëhet publik dhe do të denoncohet para institucioneve kompetente.
Lajme
Tetova hap derën për punë sezonale
Në Komunën e Tetovës është promovuar ligji për angazhimin e personave në punë, apo siç njihet ndryshe ligji për punësime sezonale. Për të promovuar përparësitë e këtij ligji, u mbajt edhe një prezantim nga Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi. Në fjalimin e tij para të pranishmëve ministri Durmishi është shprehur se Tetova ka qenë gjithmonë qytet i sipërmarrësve, njerëzve punëtorë dhe bizneseve familjare, prandaj, politika ekonomike duhet të jetë praktike, e zbatueshme dhe e drejtë. “Me Ligjin për Angazhim me Punë të Personave, ne sjellim pikërisht zgjidhje të tillë. Në hotelieri e cila është një nga degët më të forta në Tetovë mundësojmë angazhim legal, të thjeshtuar të kamerierëve, kuzhinierëve, banakierëve, shërbëtoreve, shpërndarësve, animatorëve dhe stafit tjetër sezonal. Në periudhat e vëllimit të rritur të punës, objektet mund të angazhojnë njëkohësisht deri në 10 persona ose deri në 10 për qind të numrit të përgjithshëm të të punësuarve, përmes procedurës së shpejtë dhe plotësisht elektronike”, sqaroi Durmishi.
Sipas tij, kjo zgjidhje nuk është vetëm për hotelerinë, por edhe në sektorë tjerë. “Në bujqësi, pylltari dhe peshkim, mundësojmë angazhim sezonal deri në 180 ditë në vit – mbështetje të fortë për rajone si ai i Pollogut, ku puna sezonale është realitet. Në veprimtaritë e amvisërive, kemi krijuar mundësinë për angazhim legal për përkujdesjen e fëmijëve, kujdesin për të moshuarit dhe mirëmbajtjen, fusha që për vite me radhë kanë qenë në zonën gri. Angazhimi ynë politik është i qartë, ekonomia formale duhet të jetë më e lehtë dhe më e qëndrueshme se ajo joformale. Me këtë ligj punëtori përfiton të ardhura legale, kontribute të paguara për sigurim pensional dhe invalidor dhe kujdes shëndetësor në rast lëndimi në punë. Personi i papunë nuk humbet të drejtën e kompensimit monetar. Përdoruesit e të drejtave sociale ruajnë të drejtat e përvetësuara”, nënvizoi Durmishi.
Më tej, ai tha se studentët dhe pensionistët mund të angazhohen në mënyrë plotësuese. “Kompensimi minimal për orë lidhet me pagën minimale dhe nuk mund të jetë më i ulët se minimumi i përcaktuar ligjor. Njëherësh, kemi vendosur mekanizma të qartë për të parandaluar abuzimet. Ky nuk është zëvendësim për punësimin e rregullt. Ka kufizime sipas ditëve, muajve dhe numrit të personave. Mbikëqyrja inspektuese është e përcaktuar qartë, ndërsa dispozitat penale janë konkrete. Ky është balancë dhe fleksibilitet për biznesin, siguri për punëtorin dhe rend për shtetin. Jo vetëm si ministër, por edhe si politikan, ndjej përgjegjësi shtesë që këto politika të japin rezultat këtu në Tetovë”, tha para të pranishmëve ministri Besar Durmishi.
Në fund ai u shpreh se dëshiron që të rinjtë nga ky qytet të kenë mundësi për përvojë legale pune. “Dua që hotelierët dhe bujqit të kenë partner në institucionet, e jo pengesë administrative. Dua që Tetova të jetë shembull se si mund të rritet ekonomia lokale kur shteti krijon rregulla të qarta dhe të drejta. Ekonomi e fortë ndërtohet me besim. Besimi ndërtohet me masa konkrete. E ne bëjmë zgjidhje konkrete që bazohen në nevojat reale të qytetarëve dhe ekonomisë. Do të vazhdojmë me dialog, punë në terren dhe politika që nxisin rritjen, punësimin dhe ekonominë formale këtu në Tetovë dhe në të gjithë shtetin”, tha në fjalimin e tij në Tetovë, Durmishi.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se për një qytet si Tetova, me një ekonomi të larmishme që përfshin shërbimet, tregtinë, ndërtimtarinë, industrinë e lehtë, arsimin, bujqësinë dhe gastronominë, angazhimi sezonal dhe i përkohshëm është realitet i përditshëm. “Prandaj, zbatimi i drejtë i këtij ligji nënkupton më pak ekonomi të zezë, më shumë konkurrencë të ndershme dhe standarde të barabarta për të gjithë”, tha Kasami. (koha.mk)
-
Lajme3 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme1 year agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme3 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme2 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
