Lajme
Tetova hap derën për punë sezonale
Në Komunën e Tetovës është promovuar ligji për angazhimin e personave në punë, apo siç njihet ndryshe ligji për punësime sezonale. Për të promovuar përparësitë e këtij ligji, u mbajt edhe një prezantim nga Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi. Në fjalimin e tij para të pranishmëve ministri Durmishi është shprehur se Tetova ka qenë gjithmonë qytet i sipërmarrësve, njerëzve punëtorë dhe bizneseve familjare, prandaj, politika ekonomike duhet të jetë praktike, e zbatueshme dhe e drejtë. “Me Ligjin për Angazhim me Punë të Personave, ne sjellim pikërisht zgjidhje të tillë. Në hotelieri e cila është një nga degët më të forta në Tetovë mundësojmë angazhim legal, të thjeshtuar të kamerierëve, kuzhinierëve, banakierëve, shërbëtoreve, shpërndarësve, animatorëve dhe stafit tjetër sezonal. Në periudhat e vëllimit të rritur të punës, objektet mund të angazhojnë njëkohësisht deri në 10 persona ose deri në 10 për qind të numrit të përgjithshëm të të punësuarve, përmes procedurës së shpejtë dhe plotësisht elektronike”, sqaroi Durmishi.
Sipas tij, kjo zgjidhje nuk është vetëm për hotelerinë, por edhe në sektorë tjerë. “Në bujqësi, pylltari dhe peshkim, mundësojmë angazhim sezonal deri në 180 ditë në vit – mbështetje të fortë për rajone si ai i Pollogut, ku puna sezonale është realitet. Në veprimtaritë e amvisërive, kemi krijuar mundësinë për angazhim legal për përkujdesjen e fëmijëve, kujdesin për të moshuarit dhe mirëmbajtjen, fusha që për vite me radhë kanë qenë në zonën gri. Angazhimi ynë politik është i qartë, ekonomia formale duhet të jetë më e lehtë dhe më e qëndrueshme se ajo joformale. Me këtë ligj punëtori përfiton të ardhura legale, kontribute të paguara për sigurim pensional dhe invalidor dhe kujdes shëndetësor në rast lëndimi në punë. Personi i papunë nuk humbet të drejtën e kompensimit monetar. Përdoruesit e të drejtave sociale ruajnë të drejtat e përvetësuara”, nënvizoi Durmishi.
Më tej, ai tha se studentët dhe pensionistët mund të angazhohen në mënyrë plotësuese. “Kompensimi minimal për orë lidhet me pagën minimale dhe nuk mund të jetë më i ulët se minimumi i përcaktuar ligjor. Njëherësh, kemi vendosur mekanizma të qartë për të parandaluar abuzimet. Ky nuk është zëvendësim për punësimin e rregullt. Ka kufizime sipas ditëve, muajve dhe numrit të personave. Mbikëqyrja inspektuese është e përcaktuar qartë, ndërsa dispozitat penale janë konkrete. Ky është balancë dhe fleksibilitet për biznesin, siguri për punëtorin dhe rend për shtetin. Jo vetëm si ministër, por edhe si politikan, ndjej përgjegjësi shtesë që këto politika të japin rezultat këtu në Tetovë”, tha para të pranishmëve ministri Besar Durmishi.
Në fund ai u shpreh se dëshiron që të rinjtë nga ky qytet të kenë mundësi për përvojë legale pune. “Dua që hotelierët dhe bujqit të kenë partner në institucionet, e jo pengesë administrative. Dua që Tetova të jetë shembull se si mund të rritet ekonomia lokale kur shteti krijon rregulla të qarta dhe të drejta. Ekonomi e fortë ndërtohet me besim. Besimi ndërtohet me masa konkrete. E ne bëjmë zgjidhje konkrete që bazohen në nevojat reale të qytetarëve dhe ekonomisë. Do të vazhdojmë me dialog, punë në terren dhe politika që nxisin rritjen, punësimin dhe ekonominë formale këtu në Tetovë dhe në të gjithë shtetin”, tha në fjalimin e tij në Tetovë, Durmishi.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se për një qytet si Tetova, me një ekonomi të larmishme që përfshin shërbimet, tregtinë, ndërtimtarinë, industrinë e lehtë, arsimin, bujqësinë dhe gastronominë, angazhimi sezonal dhe i përkohshëm është realitet i përditshëm. “Prandaj, zbatimi i drejtë i këtij ligji nënkupton më pak ekonomi të zezë, më shumë konkurrencë të ndershme dhe standarde të barabarta për të gjithë”, tha Kasami. (koha.mk)
Lajme
Artan Grubit nesër i përfundon arresti shtëpiak
Ish zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi nesër i mbaron arresti shtëpiak. Vendimi ekzekutohet sipas fuqisë së ligjit pasi kalojnë 60 ditë nga dita e dorëzimit të propozim-akuzës. Megjithatë, Grubi i cili gati 8 muaj ka qëndruar në arrest shtëpie kërkon që t’i kthehet edhe pasaporta. Për këtë ka ofruar prona si garanci në vlerë mbi 335 mijë euro. Nga Gjykata Penale e Shkupit theksojnë shkurt për Alsat se për këtë propozim ende nuk kanë vendosur pasi e presin mendimin nga Prokuroria, e cila pritet që ta japë gjatë kësaj jave.
Ndërkohë vazhdon gjykimi për Grubin lidhur me keqpërdorimet në “Lotarinë Shtetërore”, megjithatë për dallim nga herët e kaluara, Grubi do të paraqitet në Gjykatë pa shoqërim policor.
Grubi gjykohet për “keqpërdorimin e detyrës zyrtare” pasi ka udhëhequr mbledhjen e Qeverisë ku është miratuar pika e rendit të ditës për nisjen e organizimit të pavarur të lojërave elektronike të fatit, ndonëse sipas Prokurorisë kjo nuk ka qenë e ligjshme. Sipas tyre, këtë e ka bërë në bashkëpunim me të akuzuarin e parë, ish drejtorin Përparim Bajrami.
Me këtë, Prokuroria pretendon se Grubi ka hapur rrugën që Lotaria Shtetërore t’i blejë VLT aparatet në vlerë mbi 9,7 milionë euro edhe pse të njëjtat nuk kanë qenë të nevojshme.
Pretendimet e këtilla Grubi i ka hedhur poshtë nën arsyetimin se për vendimin në mbledhje të Qeverisë kanë votuar 20 anëtarë, të gjithë “për”. Nga ana tjetër, teza e mbrojtjes së Grubit, por edhe të akuzuarve të tjerë është se ata kanë mbrojtur interesin shtetëror, me qëllim që përfitimi të shkojë direkt te Lotaria Shtetërore dhe jo të ndahet me partnerë të tjerë.
Lënda u hap në dhjetor të vitit 2024, rreth një javë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e futën në Listë të Zezë për korrupsion së bashku me ish gjyqtarin e Apelit Enver Bexheti. SHBA-ja i akuzoi për përfshirje në korrupsion të rëndësishëm, duke pretenduar se kishin pranuar ryshfet për të penguar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin e ish shefit të Policisë Sekrete Sasho Mijallkov.
Megjithatë, Artan Grubi u largua nga Maqedonia më 15 dhjetor, duke kaluar pikën kufitare të Bllacës drejt Kosovës. Pas alarmit për arratisje, Grubi njoftoi në Facebook se ka udhëtuar për vizitë private dhe sapo t’i kryejë obligimet do të kthehet në shtëpi.
Megjithatë, obligimet e Grubit zgjatën mbi 14 muaj, për çka shteti shpalli fletëarrest të brendshëm ndërkombëtar. Në mëngjesin e 23 shkurtit, Grubi në Maqedoni hyri nga kishte dalë. Nëpër media dolën filmimet në të cilat shihej Grubi me pranga, pasi ishte vetëdorëzuar. Prej Pikës Kufitare Bllacë, Grubi dërgohet në Burgun e Shutkës, megjithatë vetëm pas disa orësh ai dërgohet në shtëpi pasi organet e sigurisë kishin alarmuar se rrezikohet jeta e Grubit në paraburgim. Për vendimin e këtillë pati reagime të ashpra në opinion.
Lajme
Astrit Iseni pas suspendimit të gjashtë policëve: Askush nuk është mbi ligjin
Gjashtë policë janë suspenduar pas dhunës brutale të ushtruar ndaj dy të rinjëve nga Saraji, Institucionet reaguan në kohë rekord, rasti nuk u la pa përgjigje, kështu deklaroi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, nga VLEN, I cili theksoi se MPB-ja ka kryer pjesën e saj të punës, ndërsa procedurat e mëtejshme i udhëheq Prokuroria. Sipas tij dhuna policore nuk ka vend në vendin tone dhe se uniforma është për ta mbrojtur qytetarin, jo për ta rrahur.
Iseni tha se sapo dolën pamjet, opozita shqiptare ka tentuar ta kthente dhunën ndaj dy të rinjve në betejë politike. Ku sic tha Iseni filluan akuzat, propaganda dhe përpjekjet për t’i dhënë ngjyrim etnik këtij rasti.
ASTRIT ISENI-ZËVENDËSMINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME
“Nuk harrohet “Sopoti”, ku i latë njerëzit të kalben burgjeve. Nuk harrohet djegia e dyqaneve shqiptare, ndërsa ju vazhdonit të rrinit si dekor në pushtet. Nuk harrohet “Monstra”, as fyerja ndaj shqiptarëve me termin “indijanci”. Nuk harrohet vdekja e Rexhail Qerimit në burg. Nuk harrohet vrasja e Harun Aliut. Nuk harrohet as vrasja e Xhemail Rexhepit (Komandant Shqiponjës). Për të gjitha këto raste, dhe shumë të tjera, çka bëtë JU? Asgjë. Heshtët!”.
Iseni theksoi se BDI për njëzet vjet ishin në pushtet, dhe se gjatë qeverisjes së tyre kanë ndodhur ngjarjet makabre, ku shumë prej rasteve janë lidhur me veprimet e policisë dhe të institucioneve të drejtësisë. Ai gjithashtu shtoi se sado që BDI mundohen t’i fshehin me gomë nga memoria kolektive e shqiptarëve, nuk do t’ia dalin sepse sic tha ai shqiptarët e mbajnë mend mirë. Ju jeni parti me shumë mëkate, fund e krye, deklaroi Iseni.
Lajme
40 kamera të reja në funksion, “Safe City” shtrihet në pesë komuna!
Sistemi i kamerave “Safe City” ka nisur funksionimin edhe në rajonin e Ohrit, me rreth 40 kamera të vendosura në disa komuna dhe akse të rëndësishme rrugore.
Kamerat do të mbulojnë Ohrin, Strugën, Kërçovën, Debërcën dhe Dibrën, si dhe rrugët drejt pikës kufitare Qafasan, Shën Naumit dhe autostradën Ohër–Kërçovë.
Sistemi do të regjistrojë shkeljet në trafik, përfshirë tejkalimin e shpejtësisë, parkimin e parregullt dhe kalimin në semafor të kuq.
Nga policia u bëjnë thirrje shoferëve të respektojnë rregullat dhe kufizimet e shpejtësisë, me qëllim rritjen e sigurisë dhe uljen e aksidenteve rrugore.
-
Lajme11 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme10 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme3 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
