482 fëmijë e 77 punonjës në kopshte në izolim, Shahpaska: Situata është ende nën kontroll

482 fëmijë dhe 77 punonjës në kopshte janë në izolim. Numri i përgjithshëm i pozitivëve nga 9 shtatori deri dje është 26 fëmijë pozitivë dhe 92 punonjës në kopshte, të cilët nuk janë vetëm kujdestarë dhe edukatorë, por edhe kopshtarë, kuzhinierë, higjenistë dhe staf tjetër.

Megjithë shifrat e larta, Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, thotë se “situata në kopshte është ende nën kontroll dhe se protokollet e punës respektohen. Numri i madh i të izoluarve, është për shkak se nëse një person del pozitiv, izolohet I gjithë grupi që kanë pasur kontakte me të. Kishte vetëm dy shtrime në spital, një fëmijë dhe një punonjës. Ne e monitorojmë situatën, bëjmë kontrolle, në baza ditore marrim raporte të rasteve pozitive të punonjësve dhe fëmijëve, dhe mund të themi se situata është ende nën kontroll. Numri i fëmijëve që janë pozitivë, në raport me të gjithë fëmijët që frekuentojnë kopshtet tregon se protokollet respektohen, gjendja shëndetësore e fëmijëve dhe stafit është e mire”, tha Shahpanska për emisionin ”Brifingu i Mëngjesit”.