A paguajnë tatim këngëtarët? Si ndërshkohen ata në rast të moskryerjes së obligimeve ndaj shtetit

Këngëtarët në vendin tonë gjithmonë janë përmendur si persona që kanë të ardhura të mëdha, e sidomos ata më të suksesshmit të cilët me koncertet dhe ahengje të ndryshme familjare brenda natës “kapin” mijëra euro.

Ndërkaq, përveç të ardhurave të tyre, artistët gjithmonë kanë qenë në fokus të asaj se sa i kryejnë obligimet ndaj shtetit dhe se a paguajnë tatim.

Por, ky vit pandemik si tek të gjitha shtresat e shoqërisë ka ndikuar edhe te artistët, të cilët kanë patur mungesë të zhvillimit të aktiviteteve të tyre muzikore, e kjo ka berë që ky ndikimi të vërehet edhe tek paguarja e tatimit.

Lidhur me këtë “Gazeta Blic” ka kontaktuar zëdhënësen e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa, e cila u shpreh se nga Administrata Tatimore e Kosovës për shkak të sigurimit të një niveli më të lartë të përmbushjes së obligimeve tatimore, ata janë të fokusuar në tri çështje.

Bytyqi-Sefa përmend edhe përmbushjen vullnetare të tatimeve si dhe trajtimin e barabartë të atyre që i paguajnë ato.

“Administrata Tatimore e Kosovës, me qëllim që të siguroj një nivel të lartë të përmbushjes tatimore, njësoj për të gjithë tatimpaguesit, është e fokusuar në tri çështjet kryesore: përmbushjen vullnetare, ofrimin e shërbimeve profesionale dhe trajtimin e barabartë të të gjithë tatimpaguesve”, tha ajo për Gazeta Blic.

Tutje ajo tregoi se si ekzekutohet plani operativ i ATK-së, në atë formë që të sigurohen dëshmi për të hyrat e këngëtarëve, ku pas sigurimit të dëshmive, ATK-ja realizon vlerësimin në terren, nga ku këngëtarët dhe kategoritë tjera ngarkohen edhe me tatime shtesë, mirëpo edhe më ndëshkime të parapara me ligjet për ata që nuk i kryejnë obligimet tatimore.

“ATK-ja, për çdo vit vepron sipas Planeve Operative, të cilat ndërmerren nëpër terren në mënyrë që të sigurojë dëshmi të ndryshme në lidhje me të hyrat që realizojnë këngëtarët.

Bazuar në dëshmitë që krijohen gjatë këtyre periudhave si dhe bazuar në faktet e tjera që gjenden në mënyra të ndryshme, ATK-ja, e bën vlerësimin edhe të këngëtarëve, sikurse edhe të kategorive të tjera dhe i ngarkon me tatim shtesë, duke vendosur edhe ndëshkimet e parapara me legjislacion, nëse ata nuk kanë paguar shumën e nevojshme të tatimit duke u bazuar në të ardhurat e tyre që realizojnë”, u shpreh zëdhënësja e ATK-së.

Por, pavarësishtë se këngëtarët i nënshtrohen tatimit, numri i saktë i atyre që i paguajnë detyrimet ndaj shtetit nuk dihet, kjo pasi ata mund të jenë të regjistruar në forma të ndryshme në ATK, qoftë si individ, person fizik apo juridik.

“Estrada e Kosovës i nënshtrohet Tatimit, mirëpo numri i saktë i këngëtarëve, të cilët paguajnë obligimet e tyre, mund të jetë i ndryshëm pasi që këngëtarët mund të jenë të regjistruar në forma të ndryshme në ATK, pra mund të jenë të regjistruar si individ, person fizik apo juridik, etj”, tha tutje ajo.

Në vitin 2019 tatimet e paguara nga këngëtarët kanë arritur në vlerën e 685,880 mijë euro, ndërkaq në vitin 2020 tatimet e paguara janë sa gjysma e vitit paraprak, duke arritur në 305,502 mijë euro.

“Vlera e pagesës se tatimeve që këngëtarët e kryejnë, vitin 2019 kemi pasur 685,880 mijë euro, ndërsa këtë viti 2020 kemi pasur pagesa të realizuara në vlerë 305,502 mijë euro.

Për vitin 2020 duhet pasur parasysh prolongimin e të gjitha aktiviteteve të kësaj kategorie të tatimpaguesve”, u shpreh Bytyqi-Sefa.Ndërsa, në raste të mos kryerjes së obligimeve tatimore, këngëtarët iu nënshtrohen procedurave të mbledhjeve të detyrueshme nga ATK, që përfshinë bllokimin e llogarive, të.rheqjen e mjeteve nga llogaritë e tyre bankare, deri tek ndalesa për largim nga Kosova dhe konfiskimi i pasurisë.

“Të gjithë tatimpaguesit borxhlinj ndaj ATK-së, përfshirë edhe këngëtarët, sipas Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat, nëse nuk kanë vullnet që të paguajnë borxhet e tyre, do të ju nënshtrohen procedurave të Mbledhjes së Detyrueshme nga ATK, që përfshijnë bllokime të llogarive, tërheqje të mjeteve nga llogaritë e tyre bankare, ndalesa për largim nga Kosova e deri në Konfiskim të pasurive të ndryshme.

Pra kemi pasur rast kur kemi marr vendimi për bllokime të llogarive”, përfundoi zëdhënësja e ATK-së./ Blic