Ahmeti i ka premtuar Zaevit prishje të koalicionit me Gruevskin

“Nga informatat e mia, liderët e BDI-së para zgjedhjeve të prillit e kanë bindur opozitën maqedonase se në shtator ose tetor do të shkaktojnë zgjedhje të jashtëzakonshme nëse Nikolla Gruevski nuk pranon kompromis për emrin”, tha Geroski për “Lajm”

Afati i BDI-së për të qenë pjesë e koalicionit me VMRO-DPMNE-në po skadon. BDI ka premtuar se nëse deri në shtator nuk ka hapa konkrete drejt NATO-s do ta braktisë qeverinë. Sipas tyre, në këtë rast, zgjedhjet në shtatorë janë të pa shmangshme. Mirëpo, sa janë gjasat që zgjedhjet të mbahen në shtator?!

Opinioni i gjerë është skeptik për të mos thënë aspak nuk beson se mund të ketë zgjedhje të reja në shtator. Nuk vërehet ndonjë shkëndijë mes partnerëve qeveritarë që të krijonë përshtypjen se ata nuk do të munden bashkë edhe pas shtatorit.

Sipas Branko Geroskit, botuesit së të përditshmes “Slloboden Pecat”, Ahmeti i ka premtuar opozitës maqedonase zgjedhje të jashtëzakonshme qysh para zgjedhjeve të prillit.

“Nga informatat e mia, liderët e BDI-së para zgjedhjeve të prillit e kanë bindur opozitën maqedonase se në shtator ose tetor do të  shkaktojnë zgjedhje të jashtëzakonshme nëse Nikolla Gruevski nuk pranon kompromis për emrin”, tha Geroski për “Lajm”.

Ai është i bindur se zgjedhje nuk do të ketë në shtator. Duke u bazuar në vizitën e fundit të Nimic dhe pasivitetin e politikanëve shqiptarë, duke mos reaguar për atë se nuk ka kompromis për emrin nga ana e Gruevskit, vështirë të besohet se mund të ketë zgjedhje të reja. “Nëse mua më pyesni përgjigjja është shumë e thjesht- edhe po ta shohë nuk do ta besojë. Ja pse, Nimici erdhi dhe shkoi dhe është e qartë se nuk ka përparim në bisedimet me emrin. Nuk e dëgjova asnjë reagim të ashpër nga politikanët shqiptarë në Maqedoni. Për këtë arsye mendoj se Ali Ahmeti vetëm iu shet shpresa të rrejshme liderëve të opozitës. E këta të fundit nuk po i blejnë më ata, nuk po i besojnë Ali Ahmetit. Në këtë jam i bindur”, tha Geroski.

Ndërkaq gazetari dhe aktivisti për të drejtat e njeriut, Petrit Saracini, është i mendimit se zgjedhje të reja nuk do të ketë, duke krahasuar këtë situatë me atë të 2001-it tha se më shumë ka gjasa që zgjedhje të ketë pranverën që vjen. “Zgjedhje nuk mund të ketë, ashtu unë mendoj, vetëm në qoftë se ndërlikohet gjendja, sepse në gjendje konfliktuoze nuk mbahen zgjedhje, kujtoje 2001-shin, qysh në dhjetor pas konfliktit u paralajmëruan zgjedhjet, por u mbajtën tek në shtator të 2002-shit”, tha për “Lajm” Saracini.

Gazetari Nazim Rashidi konsideron se fuqinë e numrave që e posedon VMRO-DPMNE në parlament, nuk i jep asaj hapësirë që t’i lëshojë pozitat e saj dominuese. Ajo mund të qëndron në qeveri edhe pa parti shqiptare. “Zgjedhje zhvillohen në një moment kritik dhe kur qeveria nuk merr besimin nga parlamenti. Me numrat e tanishëm në parlament mund të ketë qeveri edhe pa parti shqiptare, apo dhe një qeveri me shqiptarë sa për të thënë. Nga ana tjetër ka një pakënaqësi në rritje sidomos ndaj partnerit shqiptar që e vë në pozitë delikate BDI-në. VMRO DPMNE nuk besoj se do të lëshojë pozitat e saj dominuese, kështu që do të shohim edhe për një kohë pamje të ngjashme të skenës politike, ku më shumë do të ketë menaxhim krizash se sa ndryshime më të mëdha”, është shprehur Rashidi.

– See more at: http://www.sharri.info/2014/08/12/ahmeti-i-ka-premtuar-zaevit-prishje-te-koalicionit-me-gruevskin/#sthash.akr1lLzO.dpuf