Aksion në Prilep, konfiskohen rreth 20 mijë rrënjë kanabisi

Policia ka konfiskuar mbi 18 mijë rrënjë kanabisi nga një fabrikë për përpunimin e kanabisit mjekësor. Jo zyrtarisht mësohet se aksioni është zhvilluar mbi bazën e informacioneve se fabrika e vendosur me lokacion në qytetin e Prilepit, ka kultivuar një sasi të konsiderueshme të bimës në kundërshtim me kufizimet ligjore. Një burim tjetër i tha Televizionit Alsat se aksioni policor lidhet me afatet e shkelura nga kompania dhe mos njoftimi në kohë i Ministrisë së Shëndetësisë për fillimin e korrjes.

Burime nga grupi hetimorë bëjnë të ditur se sasia e konfiskuar është ngarkuar në maune të cilat po i mban policia nën masa të larta kujdesi. Nga Ministria e Punëve të Brendshme sot nuk kishte përgjigje për motivet e aksionit dhe cilat ligje vendase ka shkelur kompania e cila është investim i përbashkët i një shtetasi të Maqedonisë së Veriut dhe një shtetasi të huaj.

Fabrika për përpunimin e lëndës mjekësore të kanabisit është themeluar në vitin 2019, ndërsa paraprakisht për veprimtarinë e saj është akredituar nga Qeveria. Objekti ishte paraparë për veprimtari afariste nga një kompani e cila posedon zinxhir të supermarketeve, por më pas ishte shndërruar në një fabrikë për përpunimin e kanabisit me të paktën 10 salla kultivimi dhe kapacitet për tharje deri në 6 ton në vit.

Adrian Kerimi