Ali Ahmeti: Zgjedhjet e lira janë pasqyra e nivelit të demokracisë së vendit

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti ka shfrytëzuar sot të drejtën e tij për të votuar në zgjedhjet lokale të vitit 2021, në vendlindjen e tij në fshatin Zajaz të komunës së Kërçovës.

Kreu i BDI-së Ahmeti ka apeluar deri te të gjithë qytetarët që të dalin të votojnë duke uruar mbarëvajtje të qetë dhe të lirë të procesit zgjedhor deri në përfundimin e plotë të tij. Sipas tij kjo do të jetë fitorja më e madhe që do të dëshmojë pjekurinë demokratike të vendit.

“Si zakonisht urimi i parë është që zgjedhjet të shkojnë sipas të gjitha standardeve, sepse zgjedhjet e lira në një shtet janë pasqyra e nivelit të demokracisë, të ushtrimit të demokracisë edhe pse të gjithë kemi investuar për standarde të mirëfillta që së paku ky nivel të rritet dhe shpresoj që qytetarët të përcaktohen për frymën më të mirë, për programin më të mirë sepse fryma dhe programi janë në dobi të të gjithë qytetarëve. Shpresoj për një përfundim të mbarë, për një proces të pranueshëm për të gjitha palët që marrin pjesë në këtë garë.” – u shpreh Ahmeti në prononcimin e tij për mediat.

Ai poashtu ka shprehur vlerësimin e tij edhe për fushatën zgjedhore si proces dinjitoz, të zhvilluar sipas të gjitha standardeve demokratike duke faleminderuar qytetarët e vendit për mikëpritjen, përkrahjen dhe dëgjimin e ofertës programore të Bashkimit Demokratik për Integrim në çdo komunë.

Në këto zgjedhje lokale, Bashkimi Demokratik për Integrim garon me 19 kandidat për kryetar komune dhe 35 lista për këshilltar komunal.

Video material: https://we.tl/t-a4UF5ok4ec