Ardian Nuhiu: Me vetëm 10 ditë përgatitje rrezikojmë shëndetin e futbollistëve

Elita e futbollit në Kosovë ngadalë bëhet gati për t’u kthyer në aktivitet, pasi thuajse dy muaj futbolli është ‘paralizuar’ shkaku i pandemisë me virusin Covid-19 që kaploi gjithë botën. Ashtu si në vendet tjera edhe në Kosovë ngadalë zbuten kufizimet dhe masat për parandalimin e përhapjes së virusit, kështu që krijohen kushtet të mendohet edhe për sportin në përgjjthësi dhe futbollin në veçanti. Fillimi i qershorit përmendet si afat për vazhdimin e garave dhe paralel me gëzimin për rikthimin e magjisë që sjell futbolli, shfaqet brenga për gjendjen fizike të futbollistëve.

“Parimisht nuk besoj se dikush nga bota e sportit nuk është dakord që futbolli të fillojë. Të gjithë e duam atë, por them se primare është ta fitojmë luftën me virusin dhe pastaj t’i kthehemi jetës normale dhe sportit”, shprehet kryetrajneri i FC Dritës së Gjilanit, para se të shprehë brengën e tij për periudhën shumë të shkurtër që futbollistët do të kenë për përgatitje para së të vijojnë garat.

“Kemi më shumë se dy muaj që sportistët janë pasivë. Periudha për tu përgatitur është shumë e shkurtër. Nuk ka asnjë mundësi logjike dhe ndonjë metodë pune që t’i bëjë gati për gara sportistët në harkun kohor prej 10 ditëve. Në këtë drejtim mendoj se duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, thotë Nuhiu.

Sipas teknikut shkupjan një matematikë e thjeshtë jep përgjigjen për nevojën e kujdesit për shëndetin e futbollistëve, kur dihet se për pauzat e zakonshme 15-20 ditore në pauzat dimërore, ekipet zhvillojne 40 ditë përgatitje për tu kthyer në ritëm garues.

“Vlerësoj se na duhet një mini fazë prej 3-4 javëve. Duke parë se edhe orari i kampionatit me gjasë do të jetë shumë i ngjeshur, pa përgatitje adekuate do të jetë e veshtirë për t’u përballuar pa pasoja një ritëm i tillë. Futbollistët janë jashta procesit stërvitor gati dy muaj dhe çdo përshpejtim eventual mund ta vuajmë më vonë”, shton tekniku shkupjan i Dritës.

“Ne si klub jemi PRO secilit vendim të marrë nga institucionet përkatëse. Por njëkohësisht kemi një moto shumë të qartë, ‘SHËNDETI MBI TË GJITHA’”, përfundoi Ardian Nuhiu.