BDI: Opozita braktisi bashkimin dhe ndarjen e përgjegjësive dhe po rrënon pozitat negociuese

Tryeza e partive parlamentare shqiptare u themelua pas zgjedhjeve
parlamentare të 11 dhjetorit të vitit 2016, nëpërmjet të Deklaratës së
Përbashkët të partive të përfaqësuara në përbërjen e kaluar të kuvendit.

Gati se të gjitha obligimet nga Deklarata e përbashkët u realizuan gjatë
mandatit të kaluar me kontributin e të gjitha palëve, që nga barazia
gjuhësorë, përmbyllja e pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit,
zgjedhja e kryetarit të parë shqiptarë të Kuvendit, ministrinë e re për
sistem politik, marrëveshjen e Prespës dhe atë të fqinjësisë së mirë,
ndryshimin e kushtetutës, reformat në sistemin e sigurisë dhe në
sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, anëtarësimin në NATO
dhe negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Përputhshmërisht, si fituese e zgjedhjeve të 15 korrikut dhe si partia
që bartë legjitimitetin e shqiptarëve, Bashkimi Demokratik për Integrim
inicoi takim të Tryezës së përbashkët më 13 gusht, në përvjetorin e
Marrëveshjes së Ohrit, pas konfirmimit të rezultateve zgjedhore dhe
konstituimit të Kuvendit dhe pasi që edhe vet lideri i shqiptarëve z.
Ali Ahmeti kishte kontaktuar me telefon me të gjithë kryetarët e partive
shqiptare.

Në këto biseda, z. Gashi konfirmoi gatishmërinë për takim dhe pas
konsultimeve me z. Sela, dy ditë më vonë, e anuloi.
Z. Sela kërkoi që takimi të mbahet pas verifikimit të mandateve, por
edhe ai ndryshoi mëndje.
Ndërsa z. Kasami pranoi ftesën dhe takimin e realizuam, kurse z. Thaçi
pas bisedës fillestare, nuk u përgjigjë më.

Të gjithë me vrap haruan këto zotime te tyre dhe takimin me z. Ahmeti e
zëvendësuan me takim me z. Zaev duke pritur në rend dhe duke mos
respektuar vullnetin e shqiptarëve dhe duke rrënuar qëllimisht pozitat e
shqiptarëve.

Që nga parafushata, fushata, dhe pas fushatës, këto parti ndryshuan
qëndrimet e tyre disa herë më rradhë.

Andaj, Takimi i djeshëm u thirrë për të diskutuar mbi prioritetet tona
të përbashkëta dhe jo për të siguruar mbështetje, por për të ndarë
përgjegjësitë dhe për tu bërë bashkë pjesë të ndërtimit të historisë dhe
për ti ndarë sukseset.

Përkundër deklarimeve publike afirmative, partitë shqiptare vendosën që
ta braktisin Tryezën pa asnjë arsye bashkë edhe me ofertën tonë të
sinqertë për ndarje të përgjegjësive.

Qytetarët vlerësojnë qëllimet e të gjithë neve dhe rrjedhimisht ata kanë
përcaktuar rolet e të gjitha partive në katër vitet e ardhshme, prandaj
dhe ne do ti prijmë bashkimit edhe përkundër nëpërkëmbëzave, pengesave,
obstruksioneve dhe përpjekjeve për hyrje nga hyrje anësore, dritare e
bodrume.

BDI dhe z. Ahmeti do ta vazhdojnë misionin e shenjtë për ti bashkuar
shqiptarët edhe përkundër pengesave deri sa të krijohet një alternativë
e denjë e bashkuar opozitare e cila nuk punon për dështim e rrënim, por
për ndërtim e bashkim.