BE zgjat sanksionet kundër regjimit sirian

Bashkimi Europian zgjati sot sanksionet e tij kundër regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad edhe për një vit, sepse dhuna ndaj shoqërisë civile vazhdon në vend, njoftoi Këshilli Europian.

Kohët e fundit, 273 individë dhe 70 ndërmarrje janë prekur nga sanksionet, të cilat përfshijnë ngrirjen e pasurive, kufizimet tregtare dhe ndalimet e hyrjes në vendet e BE-së.

Sanksionet ekonomike përfshijnë ndalimin e importit të naftës nga Siria.

Lufta civile në Siri shpërtheu në vitin 2011, pas protestave kundër Asadit dhe tashmë ka marrë më shumë se 400 000 jetë, sipas vlerësimeve.

Të gjitha përpjekjet për të filluar një tranzicion politik deri tani kanë dështuar.

Qeveria e Asadit tashmë ka nën kontroll një pjesë shumë të madhe të vendit.