Bejtullai: Nuk do të jetë lehtë në Çair, por objektivi jonë është vetëm fitorja

Gjashtë muaj pas ndeshjes së fundit kampionale, Shkëndija të dielën do të zhvillojë ndeshjen e parë zyrtare. “Kuqezinjtë” kampanjën e re e nisin me transfertën në Çair kundër FC Shkupit, ndërsa kapiteni Egzon Bejtullai beson se skuadra e tij është e gatshme për sfidat që e presin.

“Më në fund do të mund të zhvillojmë ndeshje zyrtare dhe ky moment është shumë me rëndësi në drejtim të normalizimit të situatës. Gjashtë muaj pa ndeshje zyrtare është pauzë e madhe, nuk ka skuadër që nuk ndjen pasojat dhe e mira është se së fundmi kemi mundur përmes ndeshjeve kontrolluese sadopak të kompensojmë atë që kemi humbur dhe kjo na ka ndihmuar të hyjmë në rritëm. Kushtet janë të njejta për gjithë skuadrat dhe bazuar në punën e bërë besoj se Shkëndija e gatshme pret startin e sezonit të ri”, – është shprehur Egzon Bejtullai.

Për kapitenin “kuqezi” kjo do të jetë ndeshja e parë zyrtare me Shkëndijën pas rikthimit nga Suedia, ku u transferua në merkaton e janarit.

“Kjo fanellë për mua nuk krahasohet me asnjë tjetër dhe jam shumë i entuziazmuar për këtë fillim të ri. Duke parë problemet që solli pandemia 4-5 xhirot e para do të jenë një test i madh për gjitha skuadrat, për të parë në ç’drejtim do të ec forma pas pauzës së gjatë. Prandaj mendoj se asnjë ndeshje nuk do të jetë e lehtë dhe ne bëhemi gati për vështirësitë që na presin në Çair. Respektojmë Shkupin por objektivi jonë është fitorja. Me rëndësi të japim maksimumin, të luajmë ashtu si do të merremi vesh, pastaj fundi do të tregojë cila skuadër do të meritojë suksesin”, përfundoi Bejtullai.