Besimi: Zgjerimi mbetet në agjendën e BE-së

0
59

Zgjerimi i BE-së nuk është çështje e politikave konjuktive të BE-së, por çështje konceptuale, sistematike për gjithë idenë e BE-së. Ajo mbetet në agjendën e BE-së, pasi pasqyron konceptin themelor të Unionit që të gjitha vendet e kontinentit evropian të bëhen pjesë e saj. 

Këtë e theksoi zëvendës kryeministri për evrointegrime Fatmir Besimi në seancën e sotme të Komisionit Parlamentar për Çështje Evropiane, ku në rend dite ishte Raporti për aktivitetet e realizuara nga Programi Nacional për miratimin e së drejtës të BE-revizionit për vitin 2014, për periudhën prej 1 janari deri më 31 mars 2014 (tremujori i parë), i pyetur se a është e mundur në kushtet ekzistuese RM-ja ta humbë rekomandimin për të filluar negociatat me BE-në. 

Sipas tij, deklarata e kryetarit të KE-së, Zhan Klod Junker dhe e eurokomisarit Shtefan Fyle se në pesë vitet e ardhshme nuk do të ketë pranim të ndonjë anëtari të ri në Union, vjen nga përvoja e deritashme dhe negociatat që zhvillohen shikuar sipas asaj se cili vend në cilën fazë të negociatave është. 

“Zgjerimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor mbetet pjesë përbërëse e rendit të ditës të BE-së dhe këtu nuk ka dyshim. Dhe kjo nuk duhet në asnjë mënyrë të na dekurajojë ose të jetë justifikim për moskryerjen e gjërave të caktuara lidhur me reformat dhe çështjet tjera. Është shumë me rëndësi nga Maqedonia të vij një mesazh i vetëm, qoftë nga qeveria, opozita, Kuvendi apo nga qytetari – dhe ai është se ne mendojmë se duhet të jemi pjesë e BE-së dhe ne punojmë që të bëhemi pjesë e BE-së, se besojmë në vlerat demokratike evropiane që sjellin stabilitet dhe prosperitet për të gjithë qytetarët dhe vendet nga rajoni”, tha Besimi, duke dërguar porosi nga Brukseli. 

Lidhur me Programin kombëtar për miratimin e së drejtës së BE-së për periudhën 2014-2016, të cilën javën e kaluar e ka paraqitur edhe në Bruksel, Besimi tha se ky është prodhim i qasjes më të qëndrueshme dhe përfshirjes së më shumë se 100 institucioneve shtetërore dhe 13.000 nëpunësve administrativ, gjë që tregon përkushtimin sistematik të orientimit strategjik për integrim në BE. Këtë vit, shtoi ai, janë paraparë më shumë fonde në Buxhetin për zbatimin e këtij programi, dhe janë paraparë edhe fonde dhe projekte nga IPA – 2 për vitin 2014-2020, si dhe për mbështetje të reformave në gjyqësor, ekonomi, liri të mediumeve, luftën kundër korrupsionit dhe në fusha tjera kyçe.

Gjatë debatit deputetët nga shumica qeverisëse e përshëndetën progresin në reforma dhe i bënë thirrje opozitës që të ngrihen mbi interesat partiake dhe të kthehet në Parlament, pasi ata konsiderojnë se me mospjesëmarrje në punën e Parlamentit e rrezikojnë integrimin euroatlantik të vendit. 

Sipas Silvana Boneva nga VMRO-DPMNE, me mungesën e saj në Parlament, opozita jep më shumë mjete në duart e atyre që nuk duan që Maqedonia të bëhet pjesë e BE-së dhe NATO-s dhe janë aleat të Greqisë, e cila mund të thotë se Maqedonia nuk i plotëson kriteret politike dhe fokusi të largohet nga kontesti për emrin. 

Nora Aliti nga BDI-ja, duke u përqëndruar në kriteret politike dhe në bojkotin politik nga opozita, gjithashtu ka kërkuar që t’i tejkalojnë interesat e ngushta partiake për të mirën e vendit dhe për integrimin strategjik euroatlantik. 

– Kam frikë se marrja e datës për negociata ka pësuar një goditje të rëndë nga ky bojkot, pasi kjo situatë dëmton demokracinë e vendit. Maqedonia nuk është vetëm e VMRO-DPMNE-së, nuk është vetëm e LSDM-së, as vetëm e BDI-së ose vetëm e PDSH-së. Maqedonia është e të gjithëve, ajo ka nevojë për kontributin e opozitës”, tha Aliti. 

Për gjashtë muajt e parë të këtij viti, informoi Besimi, prej 27 ligjeve të parapara janë miratuar 11 ligje, pesë janë në procedurë qeveritare dhe tre janë në diskutim ndër-resor. Përndryshe gjithsej për vitin 2014 duhet të miratohen 57 ligje. Nga të parashikuarat 75 akteve nënligjore, megjithatë, janë miratuar 34, 27 janë në proces të diskutimit ndër-resor dhe tre janë në përgatitje. Përparim i rëndësishëm është bërë ndër të tjera, në fushën e drejtësisë duke shkurtuar kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore.