Besir Alili i argjendtë, Sejfullahu dhe Fejzulla të bronztë në turneun “Petko Sirakov”

Ekipi përfaqësues i Maqedonisë së Veriut për senior nën 23 vjeç, nga një prej turneve më cilësore në kalendarin e UËË, ‘Petko Sirakov’, kthehet me pesë medalje. Nëse deri para disa vitesh prisnim vetëm për një medalje në disa vjet, tani vetëm në këtë edicion, kemi fituar gjithsej pesë.

Kampioni evropian i kadetëve Besir Alili nuk ia doli në finale në kategorinë deri më 57 kg, i dëmtuar dukshëm edhe nga gjyqtarët, duke fituar përfundimisht medaljen e argjendtë, ndërsa në finalen e vogël në kategorinë deri më 65 kg, Elmedin Sejfulahu ngadhnjeu, duke fituar kështu të bronztën, e dyta për të në turneun ‘Petko Sirakov’. Uvejs Fejzulla gjithashtu arriti të na bëjë të lumtur me një medalje tjetër, duke fituar bronzin në kategorinë deri më 125 kg.

Kujtojmë që dje, ekipi përfaqësues  arriti të fitojë një medalje të artë, përmes Rexhep Hajdarit në kategorinë deri më 92 kg dhe një të bronztë tjetër, përmes Fati Vejselit në kategorinë deri më 70 kg.

Me këto pesë medalje (një të artë, një të argjend dhe tre të bronzta), u vërtetua edhe një herë se investimet e mëdha në periudhën e fundit në ekipin tonë përfaqësues nga Federata janë duke dhënë fryt.