Bllokohet ligji për Policinë, LSI del kundër Byrosë dhe shkrirjes së Gardës

0
90

 Bllokohet në Kuvend projektligji “Për Policinë e Shtetit”. Debatet brenda mazhorancës, mes PS-së dhe LSI-së për draftin e paraqitur nga qeveria konkretisht për Byronë e Hetimit dhe Gardën e Republikës po rrezikojnë votimin e nismës brenda këtij sesioni parlamentar.

Qeverisë i ka mbetur dhe një seancë parlamentare, ajo e 31 korrikut për të votuar projektin për Policinë e Shtetit. Aleati kryesor i PS-së, LSI-ja ka dalë haptazi kundër shkrirjes së Gardës së Republikës, ndërsa ka rezerva të konsiderueshme mbi mënyrën se si do të funksionojë Byroja e Hetimit.

Debatet e ashpra u zhvilluan dje pasdite në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, ku pati dhe momente të braktisjes së mbledhjes së deputetëve të LSI-së, si Spartak Braho, Silva Caka dhe Petrit Vasili.

Gjithçka do të niste me kërkesën e deputetit Spartak Braho ku në emër të LSI-së kërkoi që të hiqen nenet, të cilat parashikojnë kalimin e Gardës në varësi të Ministrisë së Brendshme, duke u shndërruar më pas në Drejtorinë e Ruajtjes së Personaliteteve, si dhe krijimin e Byrosë së Hetimit, e cila do të jetë në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Sipas projektit të qeverisë, kjo byro do të zhvillojë hetime të pavarura nga prokuroria. Dhe për këtë arsye, Braho kërkoi që t’i liheshin mënjanë nga diskutimi i ligjit në tërësi, me argumentimin se këto nene është vendosur nga Komisioni i Sigurisë Kombëtare ku Braho është dhe kryetar, që të diskutohen me prezencën e ministrit Tahiri, përpara se të kalohet në draftin përfundimtar, që do t’i kalojë Kuvendit për miratim. Në komentin e tij, Braho u shpreh mjaft i revoltuar, duke e cilësuar draftin për rikonceptimin e SHKB-së, “një vërrë në ujë”.

“Kërkojmë që të dalë jashtë rendit të ditës Byroja Kombëtare dhe Garda. Kështu siç është konceptuar Byroja Kombëtare e Hetimit, është një vërrë në ujë. Ne jemi juristë, nuk tallemi as me veten, as me popullin; nuk mund të na përdorë ne kushdoqoftë në interes të karrierës së tij profesionale, axhendës së tij politike.

Mua më nxihet faqja që të bëhem këtu dhe në Parlament, bashkëfajtor”, u shpreh Braho. Ndërsa është dashur ndërhyrja e kryetarit të Komisionit, Fatmir Xhafaj, që situata e krijuar në sallë të shtensionohej, duke pranuar diskutimin e këtyre dy çështjeve në një mbledhje tjetër. Deputeti i PS-së theksoi se ky proces nuk duhet të bllokohet, por këto dy çështje Xhafaj bëri me dije se është rënë dakord që këto të mos diskutohen në mbledhjen e djeshme.

“Ne nuk mund ta pengojmë të gjithë procesin. Atje ku çmojmë se ka pika për më shumë reflektim, besojmë se do të kemi si dhe herë të tjera, disponibilitetin e përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme e ta kalojmë për ta gjykuar në një ditë tjetër”, tha Xhafaj. Ndërsa, relatorja e projektligjit, deputetja e PS-së, Ermonela Felaj, kërkoi të respektohej puna e ekspertëve.

“Nuk e kam për mungesë modestie, por kemi kaluar orë të tëra mbi këtë projekt. Kështu që do të lutesha që secili nga kolegët ta respektonte së paku këtë punë.

Sigurisht, që mund të kemi mendime të ndryshme”, tha Felaj, duke detyruar Brahon të replikojë sërish. “Shikojeni me kujdes!”, tha Braho dhe u largua nga komisioni për disa minuta, për t’iu rikthyer më pas diskutimeve të neneve të tjera të projektligjit nga anëtarët e Komisionit të Ligjeve, së bashku me deputetët e tjerë të LSI-së, Petrit Vasili dhe Silva Caka.