Çavuşoğlu: “Kur bëhet fjalë për Kuranin thonë menjëherë se është liri e shprehjes dhe mendimit”

0
45

Ministri i Jashtëm i Türkiye-s, Mevlüt Çavuşoğlu ka reaguar ndaj dhënies së lejes “për veprimin e djegies së Kuranit” në kryeqytetin e Suedisë, Stockohlm dhe ka thënë se “Sot djegien e një libri, të një feje tjetër nuk e lejojnë, por kur bëhet fjalë për Kuranin, për armiqësi ndaj Islamit thonë menjëherë se është liri e shprehjes dhe mendimit”, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu në rajonin Manavgat në qytetin Antalya u takua me biznesmenë dhe pas takimit iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Lidhur me lejen e dhënë ndaj Rasmus Paludan, liderit të partisë së ekstremit të djathtë danez, Drejtimi i Rreptë (Stram Kurs), për të djegur Kuranin para ambasadës së Türkiye-s në Stockholm të Suedisë, Çavuşoğlu tha: “Në Suedi, ky i çmendur edhe më parë ka kryer veprime të tilla dhe ka ofenduar fenë tonë Islamin dhe librin tonë të shenjtë, Kuranin. Ky është një veprim racist i cili në të njëjtën kohë përfshin edhe krimin e urrejtjes”.

Çavuşoğlu bëri të ditur se kur morën lajmin, kanë ndërmarrë iniciativat e nevojshme duke thirrur në Ministrinë e Jashtme ambasadorin suedez në Ankara, Staffan Herrström dhe duke bërë paralajmërimet e nevojshme. Çavuşoğlu shtoi se edhe ambasadori i Türkiye-s në Stockholm, Yönet Can Tezel ka biseduar drejtëpërdrejt me ministrin e Jashtëm suedez, Tobias Billström.

“Askush nuk mund t’i thotë kësaj liri e shprehjes dhe mendimit. Sot djegien e një libri, të një feje tjetër nuk e lejojnë, por kur bëhet fjalë për Kuranin, për armiqësi ndaj Islamit thonë menjëherë se është liri e shprehjes dhe mendimit”, deklaroi Çavuşoğlu.

Duke vënë theksin se krimi i urrejtjes dhe racizmi nuk janë liri e mendimit, Çavuşoğlu tha se “(Kjo) Edhe sipas ligjeve të Suedisë nuk është (liri e mendimit), po ashtu nuk është edhe sipas vendimeve të Këshillit të Evropës. Edhe sipas vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), krimi i urrejtjes dhe racizmi nuk janë liri mendimi dhe shprehjeje”.

“Një leje e tillë për fat të keq është dhënë pavarësisht të gjitha paralajmërimeve të Türkiye-s”, tha Çavuşoğlu, duke theksuar më tej se “Mendojmë se sot një veprim i tillë i ulët do të bëhet rreth orës 16:00-17:00 me orën turke. Shpresoj që deri në atë orë autoritetet suedeze të marrin masat e nevojshme dhe të mos e lejojnë këtë, sepse ky do të ishte një akt i poshtër, racist dhe krim i urrejtjes që do të shkaktojë zemërim në të gjithë botën”.