Çmimet e naftës dhe gazit po falimentojnë Putinin

0
67

Çmimi tavan ndaj naftës ruse i vendosur nga grupi i kombeve G7 po i kushton Kremlinit rreth 157 milionë euro në ditë.

Të ardhurat e Rusisë nga eksportet e karburanteve fosile ranë 17 për qind në dhjetor, në nivelin më të ulët që nga pushtimi rus në Ukrainë, sipas një raporti nga Qendra për Kërkime për Energjinë dhe Ajrin e Pastër me qendër në Helsinki.

Kostoja për regjimin e Vladimir Putinit do të rritet në rreth 277 milionë euro në ditë kur ndalimi i BE-së për importet e naftës së rafinuar, zgjatja e tavanit të çmimit për naftën e rafinuar dhe reduktimet në importet e naftës së tubacionit në Poloni të hyjnë në fuqi më 5 shkurt të këtij viti.

BE, Kina, India, Turqia dhe Japonia ishin importuesit më të mëdhenj të karburanteve fosile ruse javën e kaluar.

Raporti i Kërkimit mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër thotë se dërgesat e naftës së papërpunuar nga Rusia duket se kanë arritur fundin pas rënies në javët pasi u prezantua tavani i çmimit dhe ndalimit i importit nga BE.

Rusia ende po fiton rreth 637 milionë euro në ditë nga eksportimi i lëndëve djegëse fosile, nga 995 milionë euro sa fitonte nga marsi deri në maj 2022.

Tavani i çmimit të naftës G7 ka rezultuar me një rënie prej 12 për qind të eksporteve të naftës së papërpunuar ruse dhe një rënie prej 23 për qind të çmimeve të shitjes.

Kjo ka rezultuar në një rënie prej 32% të të ardhurave ruse nga nafta bruto në muajin dhjetor, thotë Qendra për Kërkime për Energjinë dhe Ajrin e Pastër.

Në fund të dhjetorit, përqindjet ranë [ër 5 për qind të tjera për shkak të ndërprerjes së importeve të naftës në tubacione nga Gjermania.

Deri më tani, Rusia ka fituar rreth 3.04 miliardë euro nga transportimi i naftës së papërpunuar në anije që i nënshtrohen tavanit të çmimit, duke rezultuar në rreth 2.03 miliardë euro të ardhura tatimore për Kremlinin.

Kjo mund të eliminohet pothuajse plotësisht, thotë Qendra për Kërkime për Energjinë dhe Ajrin e Pastër, duke e ulur çmimin marxhinal në një nivel shumë më afër kostos së naftës që prodhon Rusia.

Kjo qendër tutje thotë se koalicioni i tavanit të çmimeve ka një levë të fuqishme për ta ulur tavanin e çmimeve, duke shtuar se Rusia nuk ka gjetur një alternativë të qëndrueshme ndaj anijeve në pronësi dhe/ose të siguruara nga vendet e G7 për të transportuar produkte të naftës ruse, veçanërisht naftën bruto, nga portet e Balltikut dhe Detit të Zi./The Telegraph