Dashmir Elezi shënon kundër Sllovenisë

Kuqezinjtë tetovarë kanë një “xhevahir” të vërtetë në rradhët e tyre. Dashmir Elezi, vetëm 16-të vjeçarë, tashmë ka nisur sezonin e dytë me ekipin e Shkëndijës në elitën e futbollit vendor, ndërsa 6 të golave të sezonit të kaluar debutues u ka shtuar edhe realizimin e parë në këtë kampanjë kur shënoi në fitoren e kuqezinjëve 4:0 ndaj Makedonija Gj. P.. Formën e mirë nga klubi, Dashmir Elezi e ka bartur edhe në ekipin përfaqësues, duke bërë gol edhe në pauzën ndërkombëtare të kampionatit. Të enjten Maqedonia U19 luajti miqësore si mysafire me Slloveninë U19, ndërsa tetovarit i kanë mjaftuar vetëm 4 minuta për të gjetur rrjetën. Një pasim i gabuar i mbrojtësve sllovenë shfrytëzohet nga Elezi që përfiton nga rasti për t’iu afruar portës kundërshtare, para se me një qetësi admiruese me të majtën të shënojë për 0:1.

Në vazhdim Maqedonia U19 e drejtuar nga seleksionuesi Dashmir Beari në një moment kishte epërsi 3:1, por në fund mbase nën ndikimin e ndryshimeve të shumta në formacion u mund 4:3 me gol të pranuar në kohën shtesë. Përveç Elezit, në këtë duel u paraqit edhe Oktaj Rakip i Shkëndijës, ndërsa numri i shqiptarëve shkoi në 6 bashkë me Rezhepin, Feta-n, Shainin dhe Guxhufin.