E larguan nga Shkëndija, por tani do të udhëheq ekip në Arabinë Saudite

0
190

Ernest Gjoka nis një tjetër aventurë si trajner jashtë Shqipërisë, këtë herë shumë larg, në Arabinë Saudite. Trajneri kryeqytetas është prezantuar gjatë ditës së sotme te Ohod Medina, skuadër që militon në Ligën e parë Arabe.

Tekniku 52-vjeçar ishte pa angazhman si trajner që prej vitit të kaluar, kur u largua nga pankina e Shkëndijës së Tetovës dhe ndonëse u përfol për të marrë drejtimin e disa klubeve të Superiores, në fund zgjodhi Arabinë Saudite.

Kujtojmë që pak ditë më parë Ernest Gjoka lidhi marrëveshje me menaxherin, Ilir Halili, i cili njihet për lidhjet e tij të forta me futbollin arab dhe i kanë mjaftuar vetëm pak ditë për t’i gjetur një tjetër skuadër trajnerit tiranas.

Ernest Gjoka ka një eksperiencë të konsiderueshme si trajner, pasi ka drejtuar në Superiore skuadra si Kukësi, Flamurtari, Vllaznia, Kamza, Apolonia, Tomori, etj., si dhe në Maqedoninë e Veriut, ku drejtoi Shkëndijën me të cilën soli kampion, ashtu si me Kukësin në Shqipëri.