Ekskluzive/ Kryetari i Lidhjes Demokratike Shqiptare Mal i Zi, z. Nikoll Camaj: “Ky është shekulli i shqiptarëve! Koha është tani që të bëhemi faktor, koha që të jemi vendimtarë”

Intervistë me Kryetarin e Lidhjes Demokratike Shqiptare dhe drejtues i Forumit shqiptar, nga Malësia e Madhe,  Z. Nikoll Camaj, ekskluzivisht për  Argumentum.al

Partitë shqiptare në Malin e Zi janë bashkuar në një koalicion të madh për zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit 2020. Një unifikim historik nën sloganin ”Koha është tani”

“Mendoj se ky është shekulli i shqiptarëve dhe këtu rol kyç duhet të ketë jo vetëm Tirana, por edhe Prishtina. Pasi me përkrahjen pavarësimit të Malit të Zi, direkt kemi ndihmuar pavarësimin e Kosovës, kurse me integrime në NATO kemi krijuar një ambient më të sigurt për rajonin, dhe për aleatët tonë, prandaj edhe për ne. Mirëpo, sot mendoj se është koha t’i kthehemi vetes dhe kërkesave tona. Prandaj edhe slogani ynë i zgjedhjeve “Koha është tani” fiton në kuptim, sepse koha është që të bëhemi faktor, koha është që të jemi vendimtarë”, kështu shprehet në një interviste ekskluzive për Argumentum.al, Kryetari i Lidhjes Demokratike Shqiptare dhe drejtues i Forumit shqiptar, nga Malësia e Madhe,  z. Nikoll Camaj

Sa i përket bashkëveprimit dhe bashkëqeverisjes me partitë malazeze, z. Camaj thotë se:  “Përfaqësuesit tonë, në kuvend e në ekzekutiv duhet të jenë një, në qëndrime e veprime, dhe rezultati nuk do të mungojë. Si të tillë, karshi malazezve do të jemi partnerë të denjë, e jo dekorim inferior i takimeve ku zgjidhen çështjet tona”.

Duke vlerësuar realitetin mikro e makro politik, si dhe turbulencat gjeopolitike, që shpesh e përcjellin këtë rajon, mendoj se shqiptarët duhet t’i rrinë afër njëri tjetrit, të ruajnë pronat e viset ku jetojnë me shumicë, të mos asimilohen dhe përmes bashkëpunimit të ruajnë një zonë gjithëshqiptare, etnokulturore, e gjuhësore, pa marrë para sysh se kujt ia paguajmë taksat, thekson z.Nikoll Camaj.

E sigurisht nuk mund të mungoje  kërkesa ndaj Shqipërisë amë, duke vlersuar faktin se Tirana zyrtare ka dhënë kontribut maksimal në unifikimin e spektrit politik shqiptar, z. Camaj kërkon që ky bashkëpunim dhe kjo përkujdesje të vijoje edhe me tej: ” Të shfrytëzohen lidhjet e mira midis dy shteteve, për sigurim përfaqësim më të mirë të shqiptarëve, në të gjitha nivelet. Shkollimi i kuadrove, në rend të parë duke pasur këtu para sysh edhe mundësinë e hapjes së degëve të shkollimit superior, në gjuhën shqipe, në Malin e Zi, investime në kulturën e shqiptarëve të këtushëm, si edhe krijimi i kushteve për formim të korporatave të përbashkëta shqiptare, pa dallim shteti, me qëllim të punësimit të të rinjve”.

Në fund pavarësisht se ishte e pamundur që të gjitha partitë politike shqiptare në Malin e  Zi të dalin me një liste të vetme, Z.Camaj ka një porosi për të gjithë eletoratin shqiptarë:” Asnjë votë për partitë joshqiptare. Askush, përpos partive shqiptare nuk mund të merret me çështjen shqiptare

***

Intervistoi: Marjana DODA

-Z. Camaj, si kryetar i Lidhjes Demokratike Shqiptare jeni pjesë e koalicionit Lista Shqiptare “Koha është tani”. Partitë shqiptare  në Malin e Zi janë bashkuar në një koalicion të madh për zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi. Sa i rëndësishëm është ky bashkim  i dytë i shqiptarëve?

Se çka do të thotë bashkimi, më së mirë e kanë dëshmuar zgjedhjet e kaluara në Tuz, por edhe ato të fundit në Luginë. Edhe ky bashkim, në të cilin jemi edhe ne, (Lista Shqiptare “Koha është tani”), e ku janë subjektet që kanë 2/3 e numrit të përfaqësuesve që kanë shqiptarët në Mal të Zi, jep shpresë se, për sa i përket rezultatit, mund të përsëriten Tuzi dhe Lugina, çka maksimalisht do t’i faktorizonte shqiptarët e këtushëm. Por, mbi të gjitha, ky bashkim ka rëndësi se dëshmon se shqiptarët mund të bashkohen, kur duan, edhe përkundër faktit se një pjesë mbeti jashtë kësaj liste.

-Le ta quajmë gjysmë i bashkuar, përderisa elektorati shqiptarë do të jetë i përçarë edhe kësaj here përballe dy koalicioneve, “Koha është tani” dhe “Bashkë nji za “. Kaq i pamundur është bashkimin në një koalicion të vetëm  për shqiptarët? Thua nuk ishte koha tani që e gjithë forca politike shqiptare të bashkohej në NJI në Mal të Zi?

Ja pra se doli i pamundur, edhe përkundër angazhimit dhe kërkesës që vinte nga të gjitha adresat relevante shqiptare,  edhe nga diaspora jonë e fuqishme. Kështu, njëra palë tregoi kokëfortësi në qëndrime, për të dalë ndaras, dhe ne duhet t’i respektojmë ato qëndrime, sepse nuk përfundon gjithçka me këto zgjedhje. Sido që të jetë, ata një ditë mund të jenë partnerët tonë, prandaj do të kursejmë fjalët që përjashtojnë, apo vështirësojnë një mundësi të dytë. Natyrisht se na vjen keq, sidomos neve të Forumit, që nuk erdhi deri te formimi i një liste, pasi që menduam se përvoja e Tuzit do të ishte një model i mirë. Madje edhe iniciuam bisedime, por pa sukses. Pyetni pse? Sepse  jemi shqiptarë, si të gjithë të tjerët, dhe si të tillë jemi individualisht të fortë, por si kolektivitet i dobët. Pastaj këtu përzihen edhe llogaritë, borxhet e vjetra dhe interesat e reja. Mirëpo, shpresojmë se kohët e reja, dhe përvoja, do të na mësojnë që të unifikohemi.

– Nisur nga ky fakt  me sa mandate pritet të përfaqësohen shqiptarët nga ky bashkim në parlament?

Mundësitë, matematikore dhe ligjore, janë që të kapen 3 mandate, por realisht priten 2, të cilët, në bazë të sondazheve të fundit, dhe faktit se 2/3 e vullnetit politik nga e kaluar, përfshihen te Lista shqiptare, këto mandate pritet t’i takojnë kësaj liste. Është me rëndësi të veçohet se ka gjasa që mandatet tona të jenë vendimtare, për qeverinë e ardhshme, çka do të paraqiste një rast të mirë për të zgjedhur shumë çështje, që kanë të bëjnë me ne, si në sferën e arsimit, punësimit, pastaj ato të natyrës ekonomike, shfrytëzimit të resurseve, si edhe kthimit të pronave fisnore, e të familjeve të mëdha, të konfiskuara gjatë kohës së komunizmit.

-Kujtojmë se në Mars të 2019 për herë të parë forcat politike shqiptare fituan shumicën në Kuvendin Komunal. Sot pas më shumë se një viti cili është bilanci sa i përket qeverisjes në aspektin ekonomik e politik apo në ndryshimin e jetesës për banorët ?

Ne kemi trashëguar një infrastrukturë të rrënuar, pastaj ndarja përfundimtare me Podgoricën po zvarritet, çka na i limiton mundësitë e veprimit, kështu që e gjithë kjo ndoshta krijon pakënaqësi, mirëpo, në krahasim me të kaluarën, diferenca është tepër e madhe. Gjërat nuk mund të ndryshojmë brenda një nate, por sot për sot, nuk ka cep të Malësisë ku nuk vërehet dora e kujdesshme e atyre që e duan vendin e vet. Në Tuz kurrë nuk është punuar sa këto dy vitet e fundit. Pra, sa i përket menaxhimit të Tuzi, ai po bëhet si asnjëherë më parë, dhe lehtësisht mund të pohoj se edhe me bilancin fiskal i kemi befasuar edhe skeptikët më të mëdhenj. Me dekada na ashtë mohuar e drejta në komunë, me arsyetimin se nuk ka mjete për të ekzistuar, mirëpo, puna jonë ka dëshmuar plotësisht të kundërtën. Kjo natyrisht sa ka ndikimin e vet politik, pasi që besimi ndaj Forumit shqiptar vetëm është rritur, dhe kjo do të vërehet me 30 gusht.

-Duket se modeli i Tuzit do të duhej t’u shërbejë shqiptarëve në Malin e Zi edhe në të ardhmen pas 30 gushit. Cilat janë pritshmeritë e nje bashkëqeverisje mes  partive politike shqiptare dhe atyre malazeze?

Pa bashkëqeverisje të modelit të Forumit nuk ka ditë më të mira për shqiptarët. Përfaqësuesit tonë, në kuvend e në ekzekutiv duhet të jenë një, në qëndrime e veprime, dhe rezultati nuk do të mungojë. Si të tillë, karshi malazezve do të jemi partnerë të denjë, e jo dekorim inferior i takimeve ku zgjidhen çështjet tona.

-Sa ka ndikuar Tirana zyrtare në bashkimin e  partive politike  shqiptare në Malin e Zi si në zgjedhje lokale ashtu edhe në këtë unifikim të dytë për zgjedhjet parlamentare?

Tirana zyrtare vazhdon të jap kontributin maksimal në unifikimin e spektrit politik shqiptar. Ajo na qëndroi pranë dhe na përkrahi gjithnjë, natyrisht duke ruajtur pozicionin e fqinjit të mirë të Malit të Zi, për të mas dal sheshi si përzierje në punët e brendshme. Sidoqoftë, kujdesi për shqiptarët jashtë shtetit amë, është obligim kushtetues i Tiranës zyrtare, prandaj ne këtë e presim edhe tutje, pa marrë para sysh se çfarë thotë Mali i Zi, dhe çfarë thonë disa përfaqësues, të cilët disi ndryshe e përjetojnë Tiranën.

-Kohët e fundit shqiptarët në Mal të Zi ashtu sikurse shqiptarët në  Luginën e Preshevës  dhe në Maqedoninë e Veriut  nën drejtimin e Tiranës zyrtare duket se janë në union përballë zgjedhjeve parlamentare. A mund të themi që shqiptaret po bashkohen?

Mendoj se ky është shekulli i shqiptarëve dhe këtu rrol kyç duhet të ketë Tirana, dhe jo vetëm Tirana, por edhe Prishtina. Ne e dimë se shumë çka ka lënë shtrembër e kaluara, dhe se ajo ishte mjaft e padrejtë ndaj shqiptarëve, dhe zor se ne mund të presim që t’i ndreqim ato që kokat më të njohura shqiptare, që nga Skënderbeu e deri te Rilindësit, nuk arritën ta bëjnë. Duke vlerësuar realitetin mikro e makro politik, si dhe turbulencat gjeopolitike, që shpesh e përcjellin këtë rajon, mendoj se shqiptarët duhet t’i rrinë afër njëri tjetrit, të ruajnë pronat e viset ku jetojnë me shumicë, të mos asimilohen dhe përmes bashkëpunimit të ruajnë një zonë gjithëshqiptare, etnokulturore, e gjuhësore, pa marrë para sysh se kujt ia paguajmë taksat.

-Dhe meqë jemi tek Shqipëria amë, cilat janë kërkesat apo pritshmëritë e shqiptarëve të Malit të Zi ndaj Tiranës zyrtare?

Shkollimi i kuadrove, në rend të parë, duke pasur këtu para sysh edhe mundësinë e hapjes së degëve të shkollimit superior, në gjuhën shqipe, në Malin e Zi, investime në kulturën e shqiptarëve të këtushëm, si edhe krijimi i kushteve për formim të korporatave të përbashkëta shqiptare, pa dallim shteti, me qëllim të punësimit të të rinjve. Po ashtu, të shfrytëzohen lidhjet e mira midis dy shteteve, për sigurim përfaqësim më të mirë të shqiptarëve, në të gjitha nivele, dhe për punësime në organet shtetërore, sidomos gjyqësi, polici e dogana.

-Marrëdhënia e shqiptarëve të Malit të Zi me Perëndimin, në sajë të emigrimit në Amerikë duket një lidhje shpirtërore, e ekonomike-politike. Nisur nga ky fakt, sa e kanë ndjerë përkrahjen amerikane shqiptarët e Malit të Zi?

Po, vërtet, në saje të migrimit ne kemi arritur shumë. Ne kemi një diasporë të fuqishme, që është taksapaguese e rregullt në SHBA, por edhe donatore e rëndësishme, kështu që edhe qëndrimi amerikan në favorin tonë, është i pritshëm, edhe pse në disa momente kyçe mund të jetë dukur ndryshe. Fjala bie për rastet kur ne kishim mundësi të përfitojmë më tepër, për shkak të përkrahjes që i dhamë Malit të Zi, si në referendum për pavarësi, apo për integrim në NATO. Besoj se sot të gjithë e kanë të qartë rolin tonë në këto dy procese, si edhe modestinë tonë në kërkesa.

-Pra shqiptarët në Malin e Zi janë faktor shtetformues, faktor stabiliteti, kanë dhënë dhe japin kontribut në demokratizimin e Malit të Zi, në proceset e integrimeve Evro-Atlantike, por sa është përkthyer në zhvillim ekonomik ky kontribut tek vetë shqiptarët?

Të them të drejtën se fare pak është kthyer, nëse shikojmë çfar përfitimit direkt kemi pasur, por jemi të kënaqur se me përkrahjen pavarësimit të Malit të Zi, direkt kemi ndihmuar pavarësimin e Kosovës, kurse me integrime në NATO kemi krijuar një ambient më të sigurt për rajonin, dhe për aleatët tonë, prandaj edhe për ne. Mirëpo, sot mendoj se është koha t’i kthehemi vetes dhe kërkesave tona. Prandaj edhe slogani ynë i zgjedhjeve “Koha është tani” fiton në kuptim, sepse koha është që të bëhemi faktor, koha është që të jemi vendimtarë.

-Mali i Zi pas aderimit në NATO duket sikur ka krijuar një stabilitet politik dhe marrëdhënie të mira ndërkombëtare, po si është situata sot për shqiptarët e Malit të zi pas 2 viteve nga aderimi në NATO?Sa ka ndikuar hyrja në NATO në përmirësimin e statusit të shqiptarëve të Malit të Zi?

Stabiliteti i Malit të Zi, pra është edhe interesi ynë. Sot kemi një klimë krejt tjetër, e madje edhe ato raportet ndër-sllave nuk na shqetësojnë shumë. Por, ndonjë përfitim konkret për ne shqiptaret akoma nuk ka, sidomos jo në zhvillimin ekonomik. Për më tepër, vërehet një shkuarje mbrapa, në të gjitha trojet shqiptare. Ky është momenti kur duhet të dilet nga ky pozicion. Vetëm Lista shqiptare është garant se do të lëvizet!

-Kohët e fundit ka pasur një tensionim të marrëdhënieve ndërmjet Malit të Zi dhe Serbisë, duke e tronditur lidhjen e tyre historike. Si e shikoni Ju këtë zhvillim?

Konfliktet politike ndërsllave tashmë janë realitet, por vetëm në sferën e politikës, dhe e gjithë kjo nuk paraqet ndonjë tronditje. Është e vërtet se këtu qeveria nuk është ndërrua asnjëherë, që nga vitet e 90-ta, por kur shikojmë se çka ofron opozita, vështirë se do të ndodh edhe 30. Ndërkohë që raportet me Serbinë, i shoh më tepër si të kurdisura, dhe në favor të ruajtjes së pozicioneve të të dyja palëve në pushtet, se sa reale.

-Sa janë në gjendje shqiptarët e Malit të Zi të zënë vendin e “frymës proserbe” në qeverinë e ardhshme malazeze?

Retorika e tyre antishqiptare na le shumë larg. Kështu që, edhe nëse ka pasur momente simpatie ndaj ndonjë lëvizje që tentonte të vendoste në njërën anë “nacionalistët”, e në anën tjetër “kontrabandistët”, duke ëndërruar ndryshimet, mendoj se kohëve të fundit ajo pjesë e politikës, në vend të një katarze, ka pësuar një dilerium të ri nacionalist, që nuk e ka as kohën, as vendin, por fiton një mbështetje të konsiderueshme, sidomos nga kisha dhe besimtarët serb. Edhe pse ka lëvizje të tilla edhe në Evropë, dhe nuk mund ta pohojmë se ato nuk do të forcohen një ditë, mendoj se ato janë forca që i takojnë të së kaluarës.

Nëse shikojmë listën më të re të tyre, ku janë përzie profesorë të matur universitetesh me ultranacionlistë, se di se ku do të dalin, por ato kombinime duken si kalkulime hileqare, më tepër se sa si shprehje e gatishmërisë për reformim brenda bllokut, prandaj zor se do të arrijnë rezultat që rrezikon pozicionet e pushtetmbajtësve.

Por duhet shtuar se kur janë në pyetje të drejtat tona, disesi unifikohen të gjitha palët jo shqipfolëse, siç ishte rasti për ligjin që duhej të garantonte mandatet për shqiptarët.

-Dhe së fundi cili është mesazhi juaj për elektoratin shqiptarë në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit?

Asnjë votë për partitë joshqiptare. Askush, përpos partive shqiptare nuk mund të merret me çështjen shqiptare. Paramendoni, për 30 vite, partia në pushtet, ka pasur dhjetëra deputetë shqiptarë, përmes listave të ashtuquajtura qytetare, dhe akoma deri me sot nuk ka pasur një ministër shqiptar, nga radhët e veta. Paramendoni ata përfaqësues që gjatë të gjitha viteve i mohonin të drejtën komunës së Tuzit, e ishin shqiptarë. Paramendoni ata përfaqësues që i mohonin të drejtën e përdorimit të flamurit kombëtar, e ishin shqiptarë e me vota shqiptare.

Prandaj asnjë votë më për ta. Ata kanë humbur rrugën në oborrin e vet. Ata politikën e kanë kuptuar si biznes, e jo si mundësi për të kontribuar. Ata, pa dallim, nga politika janë pasuruar, prandaj as nuk kanë provuar të zgjedhin asnjë çështje për votuesit e vet, për popullin e vet.

Prandaj është MJAFT! Vota shqiptare, vetëm partive shqiptare!