Florian Kadriu transferohet në Azerbejxhan

Florian Kadriu edhe zyrtarisht karrierën e tij ka vendosur ta vazhdojë në Azerbejxhan, duke nënshkruar me ekipin e Sabail FC. Bëhet fjalë për një skuadër që garon në elitën e futbollit të Azerbejxhanit dhe që këtë vit me përforcimet e shumta pretendon më shumë.

Kadriu te Sabail FC transferohet nga rradhët e Renovës, pjesë e së cilës skuadër ishte që nga janari i vitit 2018-të. Pikërisht paraqitjet e tij të mira me fanellën e skuadrës nga Xhepçishti, bënë që për shërbimet e tij të interesohen më shumë skuadra, ku vlen të përmendet se nuk mungonte interesimi edhe nga Shqipëria, Kosova, Bosnje e Hercegovina dhe Bjellorusia.

Megjithatë si duket drejtuesit e Sabail FC kanë qenë më këmbëngulës dhe më të mirë financiarisht në ofertën e tyre për futbollistin kërçovarë, i cili gjatë karrierës së tij kishte luajtur edhe me FC Shkupin dhe Rabotniçkin në Maqedoni, ndërsa në Shqipëri kishte veshur fanellën e Tiranës dhe Teutës.

Ndryshe në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, 24-vjeçari Kadriu numëron 110 ndeshje zyrtare, 4 gola të shënuar dhe 10 asistime.