Florin Besimi: BDI ka vizion dhe vendosmëri për të zbatuar platformën e avancuar ekonomike

Ne ekonominë nuk e kemi slogan fushate, ne ekonominë e kemi bazament për ofertën tonë për qytetarët, mirëqenien e tyre, vendet e reja të punës dhe perspektivës për të bërë biznes, potencoi dr. Florin Besimi, në takim me drejtuesit e kompanive Pofix dhe Liberta Kompany. Kandidati i BDI-së në Zonën e 6-të zgjedhore, dr. Florin Besimi, sot ka vizituar dy kompani shumë të suksesshme, njëra shumë e mirënjohur për prodhimet dhe shërbimet e veta, edhe jashtë kufijve të vendit.

“Derisa ne ekonominë nuk e kemi slogan fushate, ne ekonominë e kemi bazament për ofertën tonë për qytetarët, mirëqenien e tyre, vendet e reja të punës dhe perspektivës për të bërë biznes, ne nuk mund të heshtim në situatat kur ato kanë vështirësi të operimit, afarizmit apo rrezikimit të vendeve të punës. Prandaj, ne kemi dëshmuar se ju qëndrojmë pranë prodhuesve tanë, sepse kështu edhe ruajmë vendet e punës, edhe fuqizojmë buxhetin e shtetit dhe ndalim importet”, ka cekur dr. Florin Besimi. Dr. Besimi gjatë bashkëbisedimit me drejtuesit e këtyre dy bizneseve, vlerësoi lartë guximin e ndërmarrësve shqiptarë, duke ofruar gjithë bashkëpunimin për suksesin e ndërmarrjeve private, kur dihet rëndësia e ndërmarrjeve për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve.

“Ne do të ofrojmë përkrahje dhe subvencione, lehtësim të qasjes në institucionet dhe instrumentet financiare, sepse, zhvillimi i vendit dhe çdo familje është në duart e prodhuesve të vendit dhe shërbimeve që ofrojnë, andaj ju kurrë nuk do të jeni vetëm, ne së bashku do të bëjmë më të mirën për qytetarët tanë”, potencoi dr. Florin Besimi, duke shtuar se platforma zgjedhore, është e ndërtuar mbi vlerësimin e ekonomisë dhe prioretizimi i saj në mandatin e ardhshëm qeverisës.