Gentiana Roçi shkëlqen në Finlandë, bashkë me Begollin bëjnë nga 2 gola në fitoren 4:0

Futbollistja strugane Gentiana Roçi vazhdon të bëjë namin në elitën e Finlandës ku bindshëm si golashënuesja më e mirë e kampionatit udhëheq ekipin e saj, KuPs drejt titullit të rradhës kampion të vendit. Ekipi që ka emrin e plotë Kuopion Palloseura të shtunën regjistroi fitoren e 15-të në 18-të xhiro të këtij edicioni, duke fituar me shifrat 4:0 transfertën me Tampereen, ndërsa fjalën kryesore kishin futbollistet shqiptare që shënuan gjithë golat. Dy realizime të Roçit dhe dy gola tjerë të shënuara nga Lavdije Begolli sollën triumfin bindës të ekipit të tyre KuPs që pas 18 xhirove udhëheq kampionatin me 47 pikë të tubuara. Roçi hapi rezultatin e ndeshjes pas 15-të minutave lojë, ndërsa shënoi golin e dytë në minutën e 60-të për rezultat 3:0, pasi paraprakisht në të 38-ën Begolli realizoi për 2:0. Seria e golave do të mbyllej në minutën e 72-të me golin e dytë të Begollit që fiksoi shifrat përfundimtare 4:0. Paraqitjet e shkëlqyeshme të shqiptareve drejtojnë ekipin drejt realizimit të ambicieve, ndërsa me titullin kampion vijnë edhe çmime individuale me Gentiana Roçin që hapëron drejt çmimit golashënuesja më e mirë e sezonit. Reprezentuesja e Maqedonisë së Veriut pas 18-të xhirove udhëheq listën e golashënueseve me 21 gola të realizuar në pjesën e deritashme të sezonit aktual.