Kasami: Po shqyrtojmë hapjen e një rruge të re në Kodrën e Diellit

0
140

Sipas njoftimit të komunës së Tetovës, kryetari Bilall Kasami së bashku me udhëheqësit e drejtorive për urbanizëm, veprimtari komunale, Inspektoratin komunal, projektues, inxhinierë dhe gjeodetë dje kanë vrojtuar vendin ku është planifikuar hapja e rrugës së re në Kodrën e Diellit.

“E pamë nga afër vendin ku planifikohet hapja e një rruge të re duke filluar nga hyrja për në Kodër të Diellit e cila do të krijonte një rrethrrotullim dhe mundësinë për të patur trafik për hyrje-dalje jo vetëm nëpër vila, por edhe lëvizje të lirë në zonën turistike pa pengesa dhe gjatë dimrit.

Rruga pranë vikend shtëpizave do të jetë sipas të gjitha standardeve dhe do të plotësojë kushtet për qarkullimin e autobusëve edhe për turistët e huaj”, informoi Kasami.

Sipas tij, Plani Detaj Urbanistik për Kodrën e Diellit është në proces.

“Si komunë do të bëjmë ç’mos që ky plan të jetë në dispozicion të qytetarëve të interesuar sa më shpejt. Së bashku me Inspektoratin Komunal kemi inspektuar objektet e reja dhe vlen të theksohet se për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit presioni për të ndërtuar objekte pa leje dhe tentativa për uzurpim të pronës publike është ulur ndjeshëm dhe personalisht falënderoj qytetarët për mirësjelljen dhe mirëkuptimin”, ka thënë Kasami.

Ai u bëri apel të gjithë atyre që janë të interesuar për ndërtimin e objekteve të reja, të kenë durim deri në përgatitjen e Planit të Detajuar Urbanistik dhe të gjithë të interesuarit do të mund të ndërtojnë një ndërtesë apo një vikend shtëpizë në përputhje me ligjin dhe rregullat, duke plotësuar të gjitha standardet.