Kina ia kthen paradhënien për vaksinat Maqedonisë së Veriut

Kina i ka kthyer paradhënien që Maqedonia e Veriut i ka dhënë për të siguruar 200.000 doza të vaksinës kundër koronavirusit, të cilat do të duhej të arrinin në fund të muajit shkurt.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ambasadën kineze në Shkup se pse është kthyer paradhënia për vaksinat dhe nga kjo ambasadë kanë thënë se “Kina është e gatshme të vazhdojë bashkëpunimin në luftën kundër pandemisë”.

“Maqedonia e Veriut vendosi të furnizohet me vaksina nga Kina dhe me këtë dëshmoi se ka besim në Kinën. Kina i jep rëndësi të madhe nevojës që Maqedonia e Veriut të sigurojë vaksina dhe i mbështet kompanitë relevante që të komunikojnë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për furnizim me vaksina”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Kinës në Shkup.

Më 17 shkurt, në Maqedoninë e Veriut nisi vaksinimin e punëtorëve shëndetësorë kundër sëmundjes COVID-19, me mbi 4.000 doza të vaksinës së Pfizer/BioNTech, që i mori donacion nga Qeveria e Serbisë.

Më 8 shkurt, Maqedonia e Veriut bëri të ditur se ka arritur marrëveshje për sigurimin e 200.000 dozave të vaksinës Sinopharm nga Kina.

Nga Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut thonë se pavarësisht se kompania Sinopharm ka kthyer mbrapsht paradhënien për vaksinat, marrëveshja me këtë kompani nuk është anuluar. Nga ky dikaster thonë se kjo gjë ka ndodhur me kërkesë të palës kineze, për shkak të harmonizimit të dokumentacionit.

“Negociatat (me kompaninë kineze, Sinopharm) janë në fazën e fundit dhe mendoj se i gjithë procesi do të përfundojë dhe vaksinat me të vërtetë do të arrijnë në vendin tonë për një kohë shumë të shkurtër”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ndërkaq, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, të martën deklaroi se është i gatshëm që të marrë përgjegjësi për vonesat e vaksinave, megjithëse u arsyetua se shteti i tij nuk është i vetmi që po përballet me mungesë të vaksinave, pasi probleme me furnizim, sipas tij, kanë edhe vendet e Bashkimit Evropian.

“Mungesa e vaksinave është prezentë në gjithë botën. Vendi ynë ka bërë gjithçka që është e nevojshme që sa më parë të marrë vaksinat. Kemi ndërmarrë veprime që nënkuptojnë marrëveshje për marrjen e vaksinave, diku kemi dhënë edhe paradhënie, me të vetmin qëllim që të arrijmë marrëveshje me të gjitha kompanitë e vaksinave”, ka deklaruar Zaev.

Zaev ka shtuar se është çështje ditësh, kur në Maqedoninë e Veriut do të arrijnë vaksinat, nga marrëveshja e drejtpërdrejtë që shteti ka nënshkruar me kompaninë amerikane, Pfizer.

“Ja, në Shqipëri arritën vaksinat dhe pres këto ditë të arrijnë edhe te ne vaksinat e Pfizerit”, është shprehur Zaev.

Por, sipas mjekëve, qytetarët nuk duan t’ia dinë për telashet rreth furnizimit me vaksina sepse ata thjesht janë të brengosur se pse në Maqedoninë e Veriut ende nuk po vaksinohen grupet më të rrezikuara të shoqërisë, siç janë të sëmurët kronikë dhe të moshuarit mbi 70 vjeç.