Koalicioni LSDM-BDI kritikohet nga partitë opozitare

Marrëveshjen për koalicion parazgjedhor ndërmjet LSDM dhe BDI, për zgjedhjet lokale të tetorit nga VMRO DPMNE e quajnë si bashkim i së keqes, të cilët janë të detyruar të lidhen për të mos dal huq. Antonio Milloshovski nga VMRO DPMNE kujtoi Zaevin për fjalimet e tij kundër BDI-së.

“Zoran Zaev e zgjodhi për partner partinë që e quante kancer të shoqërisë, BDI-në. A vlerëson Zoran Zaev se BDI akoma është kancer i shoqërisë, duhet të përgjigjet vetë ai dhe partia e tij LSDM”- deklaroi SINKRON – Antonio Milloshovski, VMRO DPMNE.

Nga BDI nuk dhanë asnjë detaj lidhur me mundësinë e kandidaturave 50-50 me partnerin qeverisës. Kryeministri Zaev nuk deshi të komentojë Milloshovskin, por për koalicionin me BDI-në tha se do të plotësojnë listat e kandidaturave varësisht nga kandidatët potencial.

“Koalicioni me BDI dmth përfaqësim i përbashkët në zgjedhjet lokale që deri në fund do të vërtetohet, duke u varur nga vetë kandidatët. Mund të ndodh ne në rrethin e parë të përkrahim kandidatët e tyre ose BDI në rrethin e parë të përkrahë tanët. Diku do të shkojmë me përkrahje vetëm në rrethin e dytë, diku do të japim shanse të kandidojnë nga partitë më të vogla nga Besa apo partitë serbe ose turke”- pohoi Zoran Zaev, Kryetar i LSDM-së.

Lëvizja Besa e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare hyri në koalicion me LSDM-në, në zgjedhjet lokale do të garojë e vetme. Arjanit Hoxha tha se nuk kanë njohuri për marrëveshjen LSDM-BDI.

“Ne nuk do të komentonim mbi marrëveshjet e liderëve të partive politike edhe pse ato janë pjesë e koalicionit qeverisës. Realisht, ne nuk i dimë detajet e asaj që është thënë, pasi Lëvizja Besa kemi thënë që po përgatitemi të shkojmë vetëm në zgjedhjet lokale sepse vlerësojmë që prania jonë në Qeveri ka bërë një ndryshim dhe ne duam që ai ndryshim të pasqyrohet në vota. Si parti politike, ne duam të shohim realisht se si u pasqyrua qeverisja jonë 10-mujore, dmth gati një vit deri në zgjedhjet lokale”- tha Arjanit Hoxha, Sekretari Gjeneral i Lëvizjes Besa.

Duke komentuar koalicionin LSDM-BDI, kreu i ASH-së Ziadin Sela tha se Ali Ahmeti frikësohet të pranojë sfidën që në zgjedhje lokale të dalë i vetëm. Partitë opozitare shqiptare ASH-AAA nuk tregojnë nëse do të bëjnë koalicion me ndonjë parti tjetër, apo në zgjedhje lokale do të garojnë të vetme.