Kosovë/ Infermierët dhe mamitë dorëzojnë uniformat: Turni i natës të paguhet 36 euro

Duke respektuar distancën dhe duke mbajtur maskën si dy masa preventive për parandalimin e Covid-19, infermierë dhe mamitë e Kosovës në këtë kohë pandemie kanë protestuar para qeverisë së Kosovës.

Ata po kërkojnë që turni i natës i cili paguhet 18 euro të paguhet 36 euro.

Fitim Havolli nga Sindikata e Infermierëve dhe Mamive të Kosovës tha se përmes kësaj proteste kanë kërkuar që qeveria të kthejë kokën nga ky komunitet i cili është në front të parë me pacientët e prekur me Covid-19.

Ai tha se kërkesa e tyre është që turni i natës të paguhet 36 euro, pasi aktualisht pagesë për ndërrim të natës është 18 euro.

Havolli u shpreh se nuk po kërkojnë rritje page por po kërkojnë që kërkesat e tyre nga qeveria të trajtohen me prioritet.

Në mënyrë simbolike infermierët dhe mamitë që sot protestuan i kanë dorëzuar uniformat.