Lazim Destani bën freskim në strukturën organizative të KF Shkëndija

0
63

Pas një viti të suksesshëm funksionimi të KF Shkëndija nën pronësi të kompanisë ‘Ecolog’, klubi vendos për të sjellur freskim duke bërë riorganizim në strukturën menaxhuese.

Në vijim ju sjellim prononcimin e para pak çasteve nga pronari i klubit, z.Lazim Destani:

“Dua që pas një viti të suksesshëm të KF Shkëndija të falënderoj të gjithë menaxhmentin e klubit dhe në veçanti presidentin Jetmir Bexheti. Ai e kreu me sukses misionin e tij në klubin tonë. Erdhi në pozitën e kryetarit në fillim të këtij projekti me kërkesën tonë dhe e drejtoi me sukses klubin atëherë kur ishte më vështirë dhe kur për të gjithë ne kjo eksperiencë ishte diçka e re. Vendosëm  bashkërisht që Jetmir Bexheti duhet të vazhdojë me angazhimet e përcaktuara në strukturat tjera të grupacionit Ecolog, atje ku edhe deri tani ka treguar sukses të dukshëm. Njëkohësisht, ne kemi vendosur që postin e kryetarit të klubit t’ia besojmë Lulzim Imerit, një personi te i cili kemi besim se do t’i vazhdojë drejt realizimit planet tona afatgjate me KF Shkëndija, krahas dëshirës, seriozitetit dhe punës së tij që do ta bëjë me përkushtim të plotë. Freskimi do të vazhdojë edhe me riorganizimin në strukturën e përgjithëshme të KF Shkëndija, për të arritur më të mirën e mundur, ku çdonjëri do ta gjejë pozicionin e duhur dhe të përshtatshëm”, deklaroi pronari i klubit, z. Lazim Destani.

Ndërkohë kryetari në largim, Jetmir Bexheti, edhe një herë potencon kënaqësinë që kishte për të qenë në këtë post, teksa fton publikun të vazhdojë ta mbështesë këtë projekt në zhvillim të Shkëndijës.

“Çdo fillim ka një mbarim. Kur erdha në këtë post një vit më parë, paralajmërova se jam këtu për të ndihmuar në fillim të një projekti madhështor dhe se një ditë kur klubi do të jetë në binarët e duhur unë do të largohem për t’ia lënë vendin dikuj tjetër. Tani kur Shkëndija ka pas vetes një vit të suksesshëm nën sponzorimin e kompanisë ‘Ecolog’ dhe familjes Destani, kur secili e din punën e tij, kur dihet rruga që duhet të ndiqet në të ardhmen dhe për shkak të angazhimeve të mia në ‘Ecolog’, detyrohem të tërhiqem nga posti i kryetarit të Shkëndijës. Në këto momente dua të them që ishte kënaqësi dhe kranari të drejtoj këtë klub simbol i shqiptarëve. Falënderoj të gjithë bashkëpuntorët dhe tifozët për mbështetjen e dhënë”, deklaroi Jetmir Bexheti.

Kryetari i ri, Lulzim Imeri është nga Tetova, i diplomuar në fakultetin Ekonomik, ndërsa ka magjistruar në fakultetin për Menaxher të Sigurimeve. Gjashtë vite ka punuar në Ministrinë e Financave, ku ishte këshilltar në sektorin për Financa Ndërkombëtare, ndërsa tanimë 5 vite është anëtar i Këshillit të Ekspertëve në Agjencionin për mbikqyrje të sigurimeve. Emërimi në postin e kryetarit të Shkëndijës për të është një nder, por njëkohësisht edhe përgjegjësi e madhe.

“Dua të falënderoj pronarin e klubit për besimin e dhënë që të jem kryetar i ri i Shkëndijës. Unë premtoj që do të bëj përpjekje maksimale për ta dhënë më të mirën nga puna ime. Do ta vë veten tërësisht në shërbim të klubit për ta çuar përpara gjithë atë punë që kanë bërë pararrendësit e mi. Shpresoj që me sukses t’i kryejmë detyrat tona dhe të arrijmë objektivat që pronarët kanë vënë për klubin Shkëndija. Nuk mund të lë pa përmendur se unë gjithmonë kam qenë një ndjekës dhe simpatizues i flaktë i Shkëndijës, kjo më lidh akoma më shumë me klubin”, u shpreh Lulzim Imeri në deklaratën e tij të parë si kryetar i Shkëndijës.

Pra, përveç ndryshimit në pozitën e kryetarit të klubit, Shkëndija do të ketë riorganizim edhe në strukturat tjera menaxhuese. Bëhet fjalë për kompletim dhe freskim të disa pozitave në drejtim të strukturimit të mirëfilltë dhe ndarjes profesionale të detyrave të secilit. Gjithë kjo bëhet me qëllim që ekipi sa më i përgatitur ta presë sezonin e ri, ku Shkëndija hyn me ambicie të mëdha.

Burimi: KF Shkëndija