Lëvizja BESA: Rasti “Monstra” është i montuar

Partia në pushtet, Lëvizja BESA ka reaguar ndaj aktvendimit për rastin gjyqësor “Monstra”.

Vlerësojnë se ka indikacione se rasti në fjalë është i montuar, dhe kjo dëshmon nevojën e menjëhershme se sistemi i drejtësisë duhet të reformohet.

“Për fat të keq gjyqësori ka humbur kredibilitetin deri në atë masë sa gjithçka që sillet si vendim është gjenerator kryesor i pakënaqësive. Duke kuptuar ndjeshmërinë e rastit në fjalë dhe publicitetin gjatë këtyre viteve si dhe gjitha indikacionet se kemi të bëjmë me një rast të montuar dëshmon nevojën e menjëhershme për reforma në gjyqësor dhe ndërtimin e një sistemi kredibil. Urojmë që instancat më të larta Gjyqësore të sjellin vendime më të drejta dhe mos të lejohet
që në burg të vuajnë njerëz të pafajshëm ndërsa kriminelët e vërtetë të shëtitën të lirë”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA, transmeton TV21.

Ndërkaq, sot në Gjykatën Penale u shpall aktvendimi për “Monstrën”. 3 të akuzuar, Alil Demir, Afrim Ismailoviç dhe Agim Ismailoviç u dënuan me burg të përjetshëm. Dy të tjerë bashkërisht do të vuajnë dënimin me burg për 24 vjet. Bëhet fjalë për Haki Azirin i cili është dënuar me 9 vjet burg, dhe Fejzi Aziri me 15 vjet burg. Ndërkohë, Sami Luta është liruar./TV21