LFK Tetovë akuzon se futbolli bëhet peng i politikës (VIDEO)

Paqartësi maksimale në Lidhjen Futbollistike Komunale të Tetovës. Kjo degë e futbollit sonte duhej të zhvillojë Kuvendin e Rregullt zgjedhor, mirëpo situata është komplikuar në maksimum dhe për momentin gjithçka mbetet e paqartë. Kjo me shkas edhe të një vendimi të autoriteteve dhe Regjistrit Qendror të Republikës së Maqedonisë së Veriut. T’i marrim gjërat me rradhë. Pas shumë problemeve dhe pezullimeve nga e kaluara, më datë 21 janar të këtij viti, Regjistri Qendror pranon dhe regjistron si kryetar legjitim të LFK-Tetovë,  Fisnik Isenin dhe i njejti pas asnjë pengesë juridike cakton Kuvendin e Rregullt vjetor dhe zgjedhor për datën 18 shkurt. Mirëpo gjërat marrin kahje tjetër gjatë ditës së djeshme, kur Regjistri Qendror i Republikës së Maqedonisë del me tjetër vendim duke anuluar vendimin vetmarrur më 21 janar, dhe duke legjitimuar tani si kryetar të LFK Tetovë, Mehmet Abdiun që ishte zgjedhur në krye të kësaj lidhje në vitin 2012 me mandat katër vjeçar. Si palë me dokument që u vërteton legjitimitetin, Mehmet Abdiu të mërkurën përmes një komunikate njoftuan klubet dhe opininon se anulojnë për një datë tjetër Kuvendin Zgjedhor, duke kërkuar që Federata e Futbollit të Maqedonisë të përshtas statutin sipas Ligjit për Sport të kërkuar me insistim nga Agjencia e Rinisë dhe Sportit. Kjo ka bërë që sot në konferencë për media të del njëra prej palëve të të përfshira në këtë problematikë që më së shumti godet klubet tetovare, me Finsik Isenin që pretendon se përmes përzierjes së politikës bëhen shkelje flagrante të ligjit.

 Fisnik Iseni, LFK-Tetovë

Më datë 17 shkurt nga Regjistri Qendror i RM-së dhe Komisionit për Ankimim na marrin të drejtën legjitime të fituar pas dy viteve endje në gjykata dhe vendimin e Gjykatës së Apelit të Shkallës së Dytë nuk e respekton i njejti organQë të jetë situata më tragjike, si kryetar i LFK Tetovë përsëri kthehet person i cili nga viti 2016 është me mandat të skaduar, pa shtuar faktin se i njejti ishte edhe i suspenduar nga Federata e Futbollit të Maqedonisë. Nga kjo situatë që ndodh me LFK Tetovë, përsëritet për herë të dytë që lidhja jonë pamundësohet të merr pjesë në Kuvendin e Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Maqedonisë me ndihmën e personit të njejtë dhe politikës fatkqësisht qeveritare e cila është parti maqedonase”.

Duke ndjerë si sulm politik dhe vendime të marra përmes shkeljeve ligjore në konferencën për shtyp u tha se është ngritur ankesë dhe padi penale ndaj komisionit dhe personave që morën këto vendime bazuar në faktet e prezentuara si:

-Vendimi i Gjyqit Administrativ të datës 17.01.2019

-Vendimi i Gjykatës së Lartë Administrative të datës 14.10.2020, si dhe

-Vendimin e Regjistrit Qendrorë të RM-së të datës 21.01.2021.

 Mujdin Ismaili, Kryetar i Komisionit Zgjedhor në LFK-Tetovë

Potencojmë se Tetova dhe futbolli tetovar nuk duhet të drejtojë gishtin ka askush tjetër, pasi për herë të dytë në histori penalizohet nga personat e njejtë që bëhen vegël e politikave partiake fatkeqësisht të palës maqedonase. Është për keqardhje fakti se duke mos gjetur strehë në asnjë Lidhje tjetër komunale në vend, partia në fjalë arrin të fitojë mbështetje në Tetovën tonë, madje në zgjedhjet e kaluara nga e njejta garniturë në një Kuvend jolegjitim në emër të LFK Tetovës, propozuan për kryetar të FFM-së, z. Vllatko Kostov-in, banor i Shtipit. Sot kur shumica e Lidhjeve Futbollistike Komunale në R. e Maqedonisë së Veriut përkrahin kandidimin për herë të parë të z. Muamed Sejdini, kurse njëjta garniture kriminogjene po bëjnë të pamundurën të pengojnë rizgjedhjen e kryetarit më të suksesshëm në historinë e futbollit të Maqedonisë së Veriut “.

Nga pala e Fisnik Isenit potencojnë se presin drejtësi nga organet kompetente, për të mos lejuar paralizimin e Lidhjes futbollistike Komunale të Tetovës nga e cila sipas tyre më së shumti do të pësonin dëm klubet nga rajoni i Tetovës. Si rrjedhojë e situatës së krijuar, LFK Tetovë edhe zyrtarisht nuk do të jep delegatë për Kuvendin Zgjedhor të FFM-së të paraparë për datën 14 mars.