LSDM-ja: Protesta e VMRO-së, e dështuar

0
36

Protestën e VMRO-DPMNE-së, LSDM-ja e quan të dështuar dhe shpenzimet për organizimin e saj, të çuara dëm. Kjo parti kërkon që opozita të tregojë nga i siguroi mjetet financiare për organizimin e protestës në kohë krize partia e cila ka xhirollogari të bllokuar.

“Opinioni mbrëmë ishte dëshmitar i dështimit të Hristijan Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së. Shtrenjtë kushton ky miting I dështuar me dalje të dobët dhe organizim të keq. Në miting kishte rreth 15 mijë anëtarë dhe simpatizantë të VMRO-DPMNE-së. Partia sigurisht ka planifikuar më shumë dhe kishte organizuar transport dhe nevoja të tjera për rreth 20 mijë anëtarë. 300 mijë euro në kohë krize për miting të dështuar dhe protestë të dobët për kënaqjen e egos së Hristijan Mickoskit”, tha Bogdanka Kuzeska, LSDM.

Për VMRO-DPMNE-në, numri i protestuesve që kërkuan zgjedhje të reja dhe ndryshime ishte shumë më i lartë. Partia opozitare thotë se shpenzimet e protestës as nuk mund të krahasohet me vjedhjen që bën qeveria brenda një dite.

“Mbi 70 mijë qytetarë nga Shkupi dhe të gjithë anët e vendit thanë “Është e tepërt. Ndryshime” dhe kërkuan zgjedhje të parakohshme parlamentare. Qeveria është e delegjitimuar nga populli. LSDM-ja dhe BDI-ja nuk kanë legjitimitet ta drejtojnë shtetin. Asnjëherë deri tani nuk ka dalë aq shumë popull në rrugë që me një zë të kërkojë ndryshime dhe jetë më të mirë. Qeveria bie sepse populli është i zemëruar dhe i varfër”, u shpreh Mile Lefkov, VMRO-DPMNE.

Protestuesit një ditë më parë u mblodhën në tre pika takimi dhe marshuan drejt qeverisë. Mickoski tha se nëse këtë verë nuk ka marrëveshje për zgjedhje do të vazhdojnë të bllokojnë institucionet dhe rrugët. Protesta është hapi i dytë që erdhi pas bllokimit aktiv të Kuvendit.