Ora policore zbatohet pjesërisht (VIDEO)

Vazhdon karantinimi 80 orësh që ka filluar të enjten në orën 21:00, e që do të përfundojë të hënën në orën 05:00 të mëngjesit. Ky karantinim që shtrihet pjesërisht, në nivel shtetëror, gjegjësisht në komunat me numrin më të madh të të prekurve me koronavirus ka përfshirë edhe kryeqytetin, i cili për të dytën ditë me rradhë duket tërësisht i boshatisur. Rrugë të zbrazëta, me lëvizje minimale të qytetarëve që kryesisht lëvizin pasi posedojnë leje të veçanta për lëvizje, dhe forca policore që janë të stacionuara nëpër disa pika të vendit për të kryer patrullime. Ndërkohë që Shkupi është tërësisht i qetë, zhurma dhe prezenca e njerëzve është transferuar në pjesët tjera të Maqedonisë së Veriut, për të cilat qeveria nuk solli vendim për karantinë, por vetëm për orë policore e cila fillon në orën 16:00 dhe përfundon në orën 5 të mëngjesit.

Në ndërkohë të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme flasin për respektim të pjesërishëm të orës policore në nivel shtetëror. Në 24 orët e fundit janë arrestuar 155 persona për shkak të mosrespektimit të orës policore, ndërkohë që numri i përgjithshëm i tyre është 203, por duke përjashtuar 155 personat që janë arrestuar, ndaj të tjerëve pasojnë masa të tjera adekuate.

Nga Ministria e Punëve të Brendshmë njoftojnë se gjatë ditës së djeshme 722 personave u është dhënë vendimi për izolim, ndërsa 185 kanë nënshkruar deklaratën për vetëizolim. Në lidhje me mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse janë regjistruar 481 shkelje.Policia ka kontrolluar personat që janë në izolim dhe vetëizolim, ndërsa nuk ka evidentuar persona të cilët nuk i kanë respektuar këto masa.

Karantinë 80 orëshe ka për qytetarët e të gjitha komunave në Qytetin e Shkupit, komunat përreth si Haraçina, Zelenikova, Ilindeni, Petroveci dhe Studeniçani, në Kumanovë, Likovë, Shtip, Karbinc, Tetovë si dhe Bogovinë, Bërvenicë, Tearcë, Zhelinë dhe Jegunocë. Në të gjitha qytetet e tjera në vend ndalesa për lëvizje fillon në orën 16:00 deri në 5 të ditës së ardhshme.

Vendimi për vendosjen e sërishme të ndalesës për lëvizje është marrë në pajtim me rekomandimet e Komisionit për sëmundje infektuese, me qëllim të reagimit të shpejtë dhe efikas për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Ndalesë për lëvizje në territorin e të gjithë shtetit pati deri në datën 26 të muajit të kaluar, kur u pezullua tërësisht. Ora policore do të jetë njësoj sikurse ishte paraprakisht, pra do të ketë përjashtime për aktivitetet bujqësore, barnatoret, shtëpitë e shëndetit, policinë, ushtrinë , punonjësit shëndetësorë, marketet dhe restoranet që bëjnë dërgesa të produkteve. Ndalesa e lëvizjes nuk vlen për personat me aftësi të kufizuara dhe shoqëruesit e tyre të cilët duhet të posedojnë dokument./Shenja/