Paviç: Kam ardhur te Shkëndija për titullin kampion dhe Europën

Shkëndija kompletoi transferimin e katërt këtë verë, pasi në radhët e veta solli edhe një mbrojtës të majtë si Antonio Paviç. Ky i fundit në prononcimin e parë si kuqezi, u shpreh se te Shkëndija ka ardhut për titullin kampion dhe për të luajtur në Europë.

“Kam ardhur këtu sepse e di se ambiciet e klubit gjithmonë janë vetë kreu dhe titulli kampion. Kam ardhur sepse është klub i madh dhe lufton për Europë dhe kjo më ka tërhequr. Vlerësoj se është klub i mirë për secilin lojtar edhe si urrë lidhëse për të bërë ndonjë shkallë më shumë në karrierë”, ishin fjalët e para të Antonio Paviç, i cili shton se përveç se ka dëgjuar fjalë më të mira për Shkëndijën, ai ka luajtur një herë kundër kuqezinjëve në barazimin 2:2 në fazën përgatitore në Turqi.

“Kam dëgjuar për Shkëndijën, madje edhe me ish-klubin tim Zheljezniçarin kemi luajtur në përgatitjet në Antalia. Unë di shumë gjëra për klubin, kam pyetur pak dhe prandaj jam këtu, dmth kam dëgjuar vetëm fjalë të mira”, përfundoi Paviç.

Mbrojtësi i majtë dy sezonet e fundit ishte pjesë e Zheljezniçarit në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa ka luajtur edhe me Koper-in në Slloveni, si dhe Istra 1961 dhe Osijek në Kroaci.