Pioli firmos kontratën e re me Milanin

Pas lajmit të prestigjozes gjermane për prishjen e akordit paraprak me Ralf Rangnick, ka ardhur edhe konfirmimi nga ana e Milanit që nëpërmjet një komunikate zyrtare, ka njoftuar rinovimin e kontratës së Stefano Piolit.

Ky i fundit ka nënshkruar edhe për dy sezonet e ardhshme në krye të pankinës së kuqezinjve, pasi ka bindur me punën e tij gjatë vitit 2020 dhe sidomos që prej rifillimit të kampionatit në muajin qershor.

“AC Milan njofton se ka arritur akordin me Stefano Piolin për zgjatjen me dy sezone të kontratës si trajner, e cila tashme do të skadojë në verën e 2022-shit”, thuhej në komunikatën e klubit kuqezi.

“Jam shumë i lumtur për këtë marrëveshje. Stefano ka treguar se është në gjendje të ofrojë atë model futbolli që ne mendojmë dhe duam për skuadrën tonë, një futboll entuziazmues, modern dhe pasionant. Ky nuk është një vendim i marrë bazuar mbi fitoret e fundit, por mbi mënyrën si Pioli ka ndërtuar shpirtin e skuadrës dhe unitetin e brendshëm, mënyrën si ka përmirësuar paraqitjen individuale dhw kolektove të lojtarëve dhe mënyrën si ka bërë të tijën idenë tonë për skuadrën”, deklaroi administratori i kuqezinjve Ivan Gazidis, pas lajmit për rinovimin.

“Jam i lumtur dhe krenar për besimin që kam marrë nga Milani. Dua të falënderoj të gjithë, përfshi edhe fansat tanë që kanë munguar në stadiume, por kemi qenë gjithmonë pranë tyre dhe solidarë me ta. Siç e kam thënë gjithmonë, e ardhmja jonë është sot. Duhet të qëndrojmë të përqendruar, të bashkuar dhe si një skuadër e vërtetë. Jemi në fillim të një rrugëtimi të jashtëzakonshëm. Nëse vijojmë të punojmë kështu, do të rritemi më shumë dhe do të jemi më konkurrues”, tha Pioli pasi mori lajmin e rinovimit për dy sezone.

Top Channel