Poposki: Angazhim i madh nga anëtaret kyçe të NATO-s dhe BE-së që të zgjidhet emri

0
122

Shkup, 24 korrik 2014 (MIA) – Pa motivim politik nga ana e Athinës dhe angazhimin konkret nga shtetet më të mëdha anëtare të NATO-s dhe BE-së, nuk mund të presin ndonjë lëvizje në kontestim për emrin, vlerëson ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Poposki.

“Faktori më i madh kufizues momentalisht është se nuk ka pothuajse asnjë motiv politik në Greqi për t’u ulur seriozisht dhe të kërkohet zgjidhje lidhur me këtë çështje. Arsyet janë të dukshme, pasi fokusi politik është nën skenën e brendshme dhe sfidat me të cilat po ballafaqohen, veçanërisht në pjesën e parandalimit të krizës në eurozonë thithin praktikisht tërë energjinë që ata e kanë. Përveç kësaj, është e qartë se ata duan ta shmangin këtë çështje dhe të vazhdojnë në rrugën e mosmarrjes së vendimit as në NATO e as në BE dhe të anulojnë edhe vendimin edhe progresin e anëtarësimit dhe fillimit të negociatave. Që të ndryshojë kjo nevojitet absolutisht fokus më i madh nga vendet anëtare të NATO-s dhe në BE-së”, vlerëson ministri Poposki në kontekst të deklaratës së kancelares gjermane Angela Merkel për përfshirjen në negociatat për emrin.

Sipas tij, ajo është analizë që e ndajnë pothuajse të gjithë bashkëbiseduesit dhe vlerëson se në këtë kontekst Maqedonia duhet të vazhdojë me një qasje më aktive dhe pozitive, por duhet gjithashtu të shohim edhe hapat konkrete të motivuara në Athinë. Në mungesë të kësaj nuk është reale të pritet ndonjë lëvizje lidhur me procesin.

“Më gëzon fakti që kjo analizë publikisht është e ndarë nga disa liderë, përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së dhe NATO-s dhe shpresojmë se ajo do të përkrahet me angazhim konkret në periudhën e ardhshme, sepse vetëm në këtë mënyrë ne mund ta lëvizim këtë proces”, tha Poposki.

I pyetur nëse ndërmjetësi në kontestin me emrin Methju Nimic, i cili javën e ardhshme do të vizitojë Shkupin dhe Athinën, të sjellë propozim të ri, shefi i diplomacisë thotë se nuk ka asnjë paralajmërim lidhur me këte.

Duke e komentuar deklaratën e Merkelit se kontesti me Greqinë ka të bëjë edhe për identitetin, dhe jo vetëm për emrin, Poposki tha se nuk është sekret se që nga fillimi ambiciet e Athinës janë shumë më të mëdha dhe janë krejtësisht jashtë çdo kornize juridike ndërkombëtare ose standardeve demokratike.

“Argumentet tona janë standarde demokratike dhe e drejta ndërkombëtare, dhe për këtë arsye insistojmë në ato. Këtu është shumë e qartë se kush dhe në çfarë mënyre mund të identifikojë edhe identitetin edhe të drejtën e vetëpërcaktimit të këtyre të drejtave themelore të njeriut. Të gjithë të tjerët që ndjekin këtë kontest janë të vetëdijshëm se qasja greke krahas asaj që është e paligjshme, hynë edhe në parametra që kanë të bëjnë me identitetin”, sqaron shefi i diplomacisë.

Në lidhje me Bullgarinë, ministri Poposki tha se është bërë përparim i konsiderueshëm në lidhje me të gjitha pyetjet e parashtruara.

“Ndjenja jonë ishte se kahja dhe drejtimi që e mbajmë në këto diskutime premton se mund të arrihet një zgjidhje. Në këtë pikë duhet të përballemi me realitetin politik – zgjedhjet e parakohëshme në Bullgari dhe ndoshta formimi i qeverisë së re. Ne mbetemi në dispozicion për të kapërcyer këtë problem ndërsa mbështetje për atë janë edhe deklaratat e presidentëve të të dy vendeve se problemi mund të tejkalohet”, tha Poposki.

Ai sot u drejtua para pjesëmarrësve të Konferencës së Pestë vjetore të organizatave të mërgimtarëve.