Presidenti francez, Emmanuel Macron goditet me vezë

Një vezë është gjuajtur në drejtim të presidentit francez, Emmanuel Macron, gjatë një vizite në një panair të sektorit të restoranteve, në qytetin e Lionit.

Burri që hodhi vezën u shoqërua menjëherë jashtë sallës pas incidentit ku edhe është ndaluar.

Veza përfundoi mbi supin e Macron, nga ku kërceu pa u thyer.

“Nëse ai ka diçka për të thënë, le të vij,” – është dëgjuar të thotë presidenti francez menjëherë pas incidentit, duke kërkuar ta shohë burrin.

Ky incident ndodhi gjatë vizitës së Macron në disa prej stendave të Panairit Ndërkombëtar të Katering-ut, Hotelerisë dhe Ushqimit (SIRHA).

Në qershor, Macron u godit gjithashtu në fytyrë nga një burrë në Tain-L’Hermitage.

Presidenti francez pati një pritje të ngrohtë nga profesionistët e restoranteve dhe tregtisë në Lion, gjatë të cilës shumë e falënderuan qeverinë e tij për paketat e ndihmës gjatë pandemisë së COVID-19.

Ditën e hënë, Macron njoftojë për një tjetër ulje taksash, ndaj bakshisheve të paguara me kartë banke.