Pse BDI i gënjeu shqiptarët për Ivanovin?

0
79

Akrobacioni politik i BDI-së, për të gjetur një modus mes kontestimit të legjitimitetit të presidentit Gjorge Ivanov dhe njohjes së institucionit sa për të marrë pjesë në Këshillin e Sigurimit, konsiderohet nivel i ulët i veprimit politik të kësaj partie duke ofenduar para së gjithash elektoratin shqiptar.
Ishte po ajo BDI që si arsye për të shkuar në zgjedhje të parakohshme e mori mos-njohjen e presidentit Ivanov duke kërkuar konceptin e paqartë të ‘presidentit konsensual’ të cilin kishte mundësi me ndryshimet e reja kushtetuese ta zgjedh, por këtë gjë nuk e bëri.

Shefi i Kabinetit të Ali Ahmetit,  Artan Grubi, shprehi qëndrimin e  partisë ku mes tjerash tha se  ‘përfaqësimi i shqiptarëve në këto institucione (Këshilli i Sigurimit) duhet të ketë legjitimitet të plotë nga shqiptarët”.

Gjetja e arsyeve nga më banalet vetëm për të treguar se gjithçka çka premtoi BDI, ishte gënjeshtër, nga analistët konsiderohet si diletantizëm dhe një veprim politik i pa kuptimtë për BDI-në.

BDI arsyeton salto mortalet politike me diletantizëm

Pohimet e BDI-së se do të marrë pjesë në Këshillin e Sigurimit edhe pse nuk njeh legjitimitetin e presidentit Gjorgje Ivanov, për analistin Alajadin Demiri janë ofenduese për elektoratin shqiptar dhe për shtetin në përgjithësi dhe se janë nën nivelin e politik-bërjes.

“Veprimet jo politike dhe jo të kuptimta të BDI-së, janë duke eskaluar në të gjitha sferat. Ideja e mosnjohjes së presidentit është papjekuri politike dhe është non sens në veprimin politik, ndërsa ideja e të marrit pjesë në Këshillin e sigurimit, ku ata nuk e njohin kryetarin, nuk koment tjetër përveç diletantizmit dhe humbjes së rrugës politike. Vetëm ata mund t’i arsyetojnë këta salto mortale të politik bërjes që askund nuk lidhen dhe nuk kanë kuptim”, thotë Alajdin Demiri.

BDI zgjodhi Ivanovin, pse të mos marrë pjesë në Këshillin e Sigurimit?

Analisti Mersel Bilalli për Portalb, thotë se meritën më të madhe që sot president i shteti është Gjorgje Ivanov e ka BDI, pavarësisht deklarimeve të saja se nuk e njeh atë si kryetar.

“Nuk është parimore, nëse kontestoni atëherë edhe nuk merrni pjesë në funksionimin legjitim të institucione. Me këtë praktikisht ajo funksionon në mënyrë jo legjitime. Me e drejtë është që të pranohet se fitorja e Ivanovit ishte merita e BDI-së dhe si meritë e kësaj fitore ata duhet të kyçen në punën e presidentit”, thotë Mersel Bilalli.

BDI harroi presidentin konsensual duke pranuar presidentin problematik për integrimet

Analisti Ismet Ramadani, thotë për Portalb se, BDI me pjesëmarrjen në Këshillin e Sigurimit jo që njeh presidentin Ivanov, por ajo largohet edhe nga ideja e saj e shumë përfolur e presidentit konsenzual.

“Pikërisht ky legjitimitet u fol shumë nga BDI dhe tash po del ndryshe. Kjo tani është një qëndrim i cili në fakt dëmton konsekuencën e partisë nga kjo del se presidenti dal nga dal do ta fitojë atë hapësirë të BDI-së dhe gjithçka lihet në haresë mosnjohja e legjitimitetit  tij”, thotë Ismet Ramadani.

Sipas tij, humbja është e dyfishtë, kemi tërheqje nga presidenti konsensual dhe mos votimin e kandidatit Stevo Pendarovski i cili do të ishte më i për shtatshëm edhe ndaj shqiptarëve.

“Këto pesë vite do të kemi një president problematik për integrimet dhe definitivisht heqje dorë nga presidenti konsensual”, thotë Ismet Ramadani./Portalb