Rashica: Shqiptarët dhe turqit janë të ngjashëm, kulturat i kemi të ngjashme

0
85

Lojtari kosovar në Galatasaray, Milot Rashica, ka folur për të kaluarën e tij në Kosovë, si dhe marrëdhëniet mes Kosovës e Shqipërisë, me Turqinë.

Rashica tha se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë janë të ngushta dhe se njerëzit janë të ngjashëm sa i përket kulturës e ushqimit.

“Në Turqi jetojnë shumë persona me origjinë kosovare dhe shqiptare. Këtu ka edhe lojtarë kosovarë që luajnë në klube të tjera. Përveç kësaj, Turqia është një nga vendet e para që ka njohur Kosovën. Ne mbajmë një marrëdhënie të ngushtë. Ne jemi njerëz të ngjashëm; kulturat tona dhe madje edhe ajo që hamë janë shumë të ngjashme”, ka thënë Rashica në një intervistë me klubin.

Rashica tregoi edhe për historikun e tij në fillet e karrierës.

“Mendoj se kam qenë rreth gjashtë apo shtatë vjeç kur daja më ka çuar në një shkollë futbolli në Kosovë. Në Kosovë ka shumë shkolla futbolli dhe këto shkolla futbolli zakonisht themelohen nga ish-futbollistë. Shumë futbollistë vijnë nga Kosova, kështu që pas karrierës së tyre si futbollistë ata krijuan një shkollë futbolli për të promovuar të rinjtë. Kam shkuar në dy-tri shkolla të ndryshme futbolli në Kosovë. Më vonë shkova në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës. Kam luajtur atje për disa vite para se të kthehesha në qytetin tim të lindjes dhe të luaja për FC Vushtrria”, është shprehur 26-vjeçari.